Shqipëria po hyn në një fazë intensive të përgatitjeve teknike për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa deri më tani ka përmbushur një pjesë të rëndësishme të detyrimeve të përcaktuara nga BE-ja.
Kështu deklaroi ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, gjatë takimit të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) me temë “Shqipëria – në fazën e fundit të Rrugës Europiane” dhe “Diskutimi dhe miratimi i Raportit Vjetor të KKIE për vitin 2025 dhe Planit të Aktiviteteve për vitin 2026”.
Ajo bëri të ditur se BE-ja ka përcaktuar deri më tani 101 piketa mbyllëse për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.
Dhuka nënvizoi gjithashtu avancimin në kapituj të tjerë të rëndësishëm, si politika industriale, legjislacioni për shoqëritë tregtare, e drejta e pronësisë intelektuale, kontrolli financiar, prokurimi publik, politika monetare dhe shërbimet financiare.
Në fokus të procesit mbeten edhe kapitujt themelorë, të cilët ajo i cilësoi si garanci institucionale dhe politike për të gjithë procesin e anëtarësimit.
Ajo përmendi ndryshimet në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ligjet për lobimin dhe konfliktin e interesit.
Po ashtu, ajo vlerësoi nismat për mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e lirisë së shprehjes përmes ndryshimeve në ligjin për median audiovizive dhe Kodin Penal, shkruan ATSh.
“Shqipëria po ndërton një shtet më të aftë për të siguruar rendin, drejtësinë dhe standardet europiane. Themeloret janë prova politike dhe institucionale e seriozitetit të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian”, përfundoi Dhuka.