Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare (OCMG) “Prishtina 2030” ka shpallur thirrje publike për dizajnimin e logos dhe krijimin e “Brandbook”-ut për Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në kryeqytetin e Kosovës në vitin 2030.
Sipas njoftimit zyrtar, brendimi duhet të përfshijë logon me udhëzuesin për përdorimin e saj, si dhe adaptimin e saj në materiale promovuese, merchandising, objekte sportive dhe jo sportive, përfshirë aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, qendrën e mediave, qendrën e akreditimit dhe hapësira të tjera që lidhen me organizimin e ngjarjes. Po ashtu, kërkohet edhe brendimi i mjeteve të transportit dhe stacioneve rrugore, si dhe prezantimi i identitetit vizual në qytetin e Prishtinës dhe në qytetet e tjera ku do të zhvillohen garat.
Të drejtë aplikimi kanë kompanitë e dizajnit grafik dhe marketingut digjital që kanë së paku pesë vite përvojë në ofrimin e këtyre shërbimeve. Propozimet do të vlerësohen nga një komision profesional i themeluar nga Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ndërsa vendimi final do të miratohet nga Bordi Ekzekutiv i ICMG. Në vlerësim do të merren parasysh kreativiteti i konceptit të logos me 45 për qind, implementimi i identitetit vizual me 30 për qind dhe oferta financiare me 25 për qind.
Propozimet duhet të dorëzohen në formë elektronike në adresën [email protected]