Pas deklaratës së sotme të ngarkuarës me Punë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati dhe thirrjes që Kosova të pranojë projektet amerikane të gazit, duke theksuar se, ‘‘mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet’’ dhe se në të ardhmen, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj, reagoi edhe ish-kryeministri dhe kandidati për deputet Avdullah Hoti.
Ai tha se qeveria e ardhshme, duhet urgjentisht t’i kthehet këtij projektit të centralit energjetik me gaz amerikan, dhe ta trajtojë atë si prioritet kombëtar.
Postimi:
Centrali energjetik me gaz amerikan – projekti që u anulua nga Kurti dhe sejmenët e tij – i ka kushtuar secilës familje kosovare mijëra euro dhe i ka shkaktuar Kosovës humbje të mëdha strategjike.Ndërkohë që vendet e rajonit kanë lëvizur përpara dhe kanë përqafuar mundësitë që ofrojnë projektet energjetike amerikane, Kosova ka mbetur prapa për shkak të vendimeve të gabuara, të motivuara më shumë nga kalkulimet politike sesa nga interesi shtetëror.
Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht t’i kthehet këtij projekti dhe ta trajtojë atë si prioritet kombëtar.
Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj energjetike duke refuzuar alternativat që e bëjnë më të pavarur, më të zhvilluar dhe më të lidhur me botën perëndimore.