Kërcënimet në rritje me dezinformim ndaj demokracisë, manipulimi i krijuar nga inteligjenca artificiale dhe dobësimi i modeleve të qëndrueshme të gazetarisë, u trajtuan në debatin “Roli i Agjencive të Lajmeve në Luftimin e Dezinformimit në Evropë”, ku morën pjesë politikëbërës të lartë evropianë, drejtues mediash, agjenci lajmesh dhe përfaqësues të industrisë në Parlamentin Evropian në Bruksel. Të gjithë këta të mbledhur nga Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), ku bënë pjesë edhe agjencia kosovare e lajmeve KosovaPress.
I organizuar nga nënkryetaret e Parlamentit Evropian, Pina Picierno dhe Antonella Sberna, aktiviteti përfshiu një fjalim kryesor nga Henna Virkkunen, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitet Teknologjik, Siguri dhe Demokraci, si dhe komisionere evropiane për Teknologjitë Digjitale dhe të Avancuara, dhe ndërhyrje nga përfaqësues të Parlamentit Evropian, shoqatave evropiane të mediave, agjencive të lajmeve dhe palëve të tjera të interesuara.
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno, e nënvizoi rëndësinë e agjencive të pavarura të lajmeve, duke i quajtur ato “shtylla kurrizore të sistemit informativ”. Ajo e përshkroi dezinformimin si “armë” që përdoret “për të ngatërruar, përçarë dhe dobësuar demokracitë”, duke shtuar se “faktet kanë rëndësi sepse demokracia mund të funksionojë vetëm kur qytetarët kanë qasje në informacion të vërtetë”.
“Shikoni çfarë ka bërë dhe vazhdon të bëjë Rusia. Vetëm si shembull, jo shumë kohë më parë, kur Vladimir Solovyov, një propagandist rus i sanksionuar, një njeri që një ditë pas pushtimit të Ukrainës festonte në televizion mundësinë e luftës bërthamore, ishte gati të merrte hapësirë në televizionin publik italian, unë thashë jo. Kjo nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes është vlerë. Por makina propagandistike nuk është gazetari. Një megafon për një regjim autoritar nuk është zë që transmetuesi publik duhet ta amplifikojë. Dhe jam krenare që në atë rast u mor vendimi i duhur. Por le të jemi të sinqertë. Një betejë e fituar nuk do të thotë luftë e fituar. Sfida është vendimtare dhe kjo është arsyeja pse roli juaj si agjenci profesionale dhe të pavarura të lajmeve është absolutisht qendror në përgjigjen tonë”, tha Picierno.“Në Itali themi: nëse e ka thënë ANSA, atëherë është e vërtetë. (...) Nëse ANSA thotë diçka, dhe njësoj natyrisht edhe agjencitë e tjera në vendet e tyre, ne supozojmë se informacioni është pastruar, është krijuar saktë dhe është kontrolluar para publikimit. Është ANSA në Itali, por edhe agjencitë e tjera në vende të tjera. Ndonjëherë nuk janë të parat, por e dimë se kur publikoni diçka, mund t’ju besojmë. Dhe mendoj se përpjekja që duhet të bëjmë sot është kjo: të bashkojmë Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian (...) dhe të gjithë ata që duan ta mbajnë gjallë këtë sistem — duhet të krijojmë një ekosistem ku ato të mund të vazhdojnë të punojnë në kushte që i shërbejnë të mirës publike”, tha Antonella Sberna.
E kolegu i këtyre të dyjave, Victor Negrescu, iu drejtua pjesëmarrësve përmes një videomesazhi, duke vlerësuar se agjencitë e lajmeve luajnë një rol kritik, duke qenë një nga burimet më të besueshme në zinxhirin e informacionit.
Eurodeputeti Ivaylo Valchev, anëtar i Komitetit CULT, theksoi se “gazetaria profesionale duhet të mbetet busullë për të vërtetën” në një mjedis ku informacioni qarkullon gjithnjë e më shumë pa verifikim. Ai paralajmëroi gjithashtu kundër verifikimit selektiv të fakteve dhe theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në të gjithë ekosistemin informativ.
Ndërkohë, ambasadorja e Rumanisë në Belgjikë, Andreea Pastarnac, theksoi se komuniteti rumun në Belgjikë është i ekspozuar ndaj shumë dezinformatave dhe se është e vështirë që lajmet e besueshme të arrijnë tek ata.
Christophe-Ëalter Petit, këshilltar i përgjithshëm i Agence France-Presse, theksoi nevojën urgjente për zbatim efektiv të legjislacionit mbi të drejtat fqinje dhe mekanizma të drejtë kompensimi për përmbajtjen gazetareske të përdorur nga platformat e mëdha digjitale dhe sistemet e inteligjencës artificiale.
Andreë Moger, drejtor ekzekutiv i Neës Media Coalition, theksoi rëndësinë e “gazetarisë së burimeve primare”, duke e përshkruar atë si “lënda e parë e së vërtetës” dhe “një nga armët më jetike kundër dezinformimit”.
Jonathan Lockëood, nënkryetar dhe këshilltar korporativ i Getty Images, paralajmëroi se “përdorimi i paautorizuar i imazheve dhe videove editoriale për trajnimin e inteligjencës artificiale dobëson bazën ekonomike të mbulimit cilësor të lajmeve”, duke theksuar se gazetaria vizuale e besueshme është gjithnjë e më kritike në epokën e përmbajtjeve sintetike të krijuara nga IA.
Aimilios Perdikaris, anëtar i bordit të EANA-s dhe përfaqësues i agjencisë ANA-MPA nga Greqia, u fokusua në rolin institucional të agjencive të lajmeve si mbrojtëse të informacionit faktik dhe ngriti disa pyetje politike për Henna Virkkunen lidhur me të drejtat e autorit, edukimin mediatik dhe rregullimin e rrjeteve sociale. Mesazhi i tij kryesor ishte se agjencitë e lajmeve zënë një pozitë unikisht të ndjeshme brenda ekosistemit informativ sepse janë shpërndarëset kryesore të lajmeve për mediat e tjera.
Nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen, riafirmoi angazhimin e Komisionit për mbrojtjen e gazetarisë së pavarur dhe rezistencës demokratike, duke theksuar se “mediat e lira dhe të pavarura janë shtyllë e demokracive tona”. Ajo paralajmëroi se gazetaria cilësore po përballet me presion ekonomik në rritje për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe tregtare, veçanërisht në epokën e inteligjencës artificiale gjeneruese, dhe theksoi se “përmbajtja mediatike është veçanërisht e vlefshme për ofruesit e IA-së, por edhe për shoqërinë tonë demokratike në tërësi”. Duke nënvizuar rëndësinë e kompensimit të drejtë dhe mbrojtjes më të fortë të të drejtës së autorit, ajo shtoi se “lufta kundër dezinformimit nuk ka të bëjë vetëm me heqjen e përmbajtjeve të rreme — ka të bëjë me sigurimin që informacioni i vërtetë, i verifikuar dhe me përgjegjësi të mund të lulëzojë në shoqërinë tonë”.E themeluar në vitin 1956, Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve bashkon 33 agjenci kryesore të lajmeve nga vendet e BE-së dhe jashtë saj. KosovaPress është anëtare e plotë e EANA që nga shtatori i vitit 2022.