Në prag të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit Kombëtar, datëlindjes së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari dhe daljes publike të UÇK-së, është organizuar aktiviteti tradicional Darka e Lamës në Llukë të Epërme të Deçanit.
Në këtë fshat historik të kuvendeve për pajtimin e gjaqeve te “Vrellat e Llukës” në odën e rapsodit kombëtar Dervish Shaqa janë bërë bashkë shumë pjesëmarrës për të shënuar festën e njohur edhe si “Darka e Bereqetit” e karakterizuar me ushqimin tradicional, këngët me motive tradicionale, lojërat e ndryshme e plisat e bardhë.
"I kujtoj këta 56 vjet ku si fëmijë jam rritur në Gllogjan, në shkollë kam ardhur në Deçan, në gjimnaz në një kohë, por edhe gjatë luftës pëllëmbë për pëllëmbë e kam shkelur këtë zonë nuk kishim nga të shkonim. Ashtu siç jeni rritur ju të moshës sime, edhe unë e kam mbërri Darkën e Lamës ende u organizonte. Ne folëm për bereqet, por ka qenë edhe bulmeti, kanë qenë t'i qesin edhe tinarët jashtë, t'i rreshtojnë t'i shihen, t'i vendosin vargjet me speca të gjitha ato, qepë e çfarë kanë pasur. Pas luftës, e kam pasur një bisedë me presidentin Rugova kur folshim për shenjat tona, pati thënë se Darka e Lamës është shenjë e jona, që ia pati filluar të organizohej në nivel vendi. Unë mendoj që kjo është shenjë e mirë, një ngjarje që na bashkon. Ju gjetsha bashkë gjithë, me bereqet dhe me të gjitha të mirat", ka uruar Haradinaj.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj përgëzoi fshatin Llukë për organizimin e këtij aktiviteti tradicional.Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj vlerësoi se Darkën e Lamës si një traditë të mirë të popullit shqiptar.
“Faleminderit gjithë Llukës për iniciativën e mirë që keni marrë. Të hyj në një odë me burra, e të gjithë me qenë me veshje të bardha që është një traditë e mirë e shqiptarëve dhe të vazhdojë një traditë të tillë siç ka qenë Darka e Lamës. Në të kaluarën, të gjithë familjarët, çdo shtëpi shqiptare e ka festuar se është mbledhur bereqeti dhe kanë shtruar Darkën e Lamës. Shpresoj që do të vazhdojnë organizime të tilla që mbledhin edhe fshatin në një ndejë tradicionale”, tha Kadrijaj
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Deçan, Naser Tolaj u shpreh i nderuar për pjesëmarrjen në këtë organizim.
Shtrimi i kësaj darke u nis nga ish-presidenti Ibrahim Rugova në vitin 2002, ku synim ishte që të shënohet fundi i stinës së verës dhe fillimi i vjeshtës. Ndërsa, në sofrat, ku mysafirë ishin krerë institucionesh nga vendi e ndërkombëtarë, shtrohej ushqim tradicional.