Deputetët nga partitë opozitare në Kosovë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me vonesat në ekzekutimin e pagave për shërbyesit civil, duke akuzuar qeverinë për papërgjegjshmëri dhe shkelje të ligjeve. Derisa kritikuan qeverinë për këto veprime, kanë shtuar se edhe vendosja e një ushtrues detyre në këtë dikaster është e paligjshme. Në anën tjetër, nga pozita thonë se sipas ligjit sot është afati dhe do të dalin rrogat në xhirollogari. KosovaPress ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Financave lidhur me ketë çështje, mirëpo, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala ka kërkuar që të zbatohen ligjet në plotni, dhe jo të ketë këso vonesa në paga. Derisa ka komentuar edhe vendosjen e një Ushtrues Detyre në këtë dikaster, për çfarë thotë se, kjo qeveri po vazhdon së menaxhuari dhe udhëhequr duke bërë shkelje ligjore permanente.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se më e pakta në këtë mos përgjegjësi nga qeveria është që, ministri duhet të dorë hiqet, apo vet dorëhiqet, apo të shkarkohet.
Përkundër akuzave nga partitë opozitare, nga pozita vlerësojnë se nuk do të ketë sfida në këtë drejtim. Deputeti nga Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja thotë se sipas ligjit sot është afati dhe do të kryhet ekzekutimi.