Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, e ka cilësuar Dinamo Zagrebin si kundërshtarin më të vështirë për skuadrën e tij deri më tani në garat evropiane.
Ai ka thënë se përkundër cilësive të mëdha që ka rivali i ndeshjes së nesërme, Ballkani nuk e ka ndërmend të ndryshojë stil të lojës, por që përtej respektit për ta, respektojnë edhe veten dhe viti i dytë radhazi në garat evropiane tregon që Ballkani është skuadër që duhet respektuar.
Në konferencë për media, Daja ka folur edhe për ftesën që mesfushori Edvon Kuç ka marrë nga Mali i Zi duke e cilësuar si lajm të mirë për kampionin e Kosovës sepse tregon nivelin e lartë të kualitetit që ka kjo skuadër.
Ndërsa mesfushori Qëndrim Zyba theksoi se ndihet jashtëzakonisht i lumtur me mënyrën se si po e përfaqëson skuadra futbollin kosovar në Evropë, si dhe për faktin se rivalët evropian tashmë po gëzojnë respekt të madh për Ballkanin.