Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.
Sipas njoftimit, u.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Presidentin Costa për vizitën në Kosovë dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Evropian ndaj rajonit. Ajo theksoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror, përcjell KosovaPress.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë Plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake. Në këtë frymë, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.U.d. Presidentja Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrues që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës.
Ndryshe, Costa gjatë ditës ka takuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.