Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës për shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Kjo periudhë zgjat 17 ditë deri më 6 qershor 2026 dhe do të vlejë për rreth 105 mijë shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe të cilët kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës.
Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim e cila përmban udhëzuesin për votim, fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë, dhe zarfin kthyes.
Detyrë e votuesit, sipas KQZ-së është që pakon ta dorëzojë në adresën e kutisë postare të KQZ-së në shtetin ku ai ose ajo jeton.Njoftimi i KQZ-së thotë se në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos së tyre me fletëvotim.
KQZ ka ftuar për vëmendje votuesit e regjistruar duke u thënë se çdo dërgesë postare duhet të jetë individuale. /KosovaPress/