Çmimet e naftës kanë rënë në nivelet më të ulëta që nga periudha para shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, ndërsa Ngushtica strategjike e Hormuzit po rihapet gradualisht pas marrëveshjes së paqes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Nafta e papërpunuar “Brent” zbriti nën 73 dollarë për fuçi për herë të parë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, duke rënë në një moment rreth 2%, në 72.24 dollarë për fuçi.
Zhvillimi vjen pas marrëveshjes së përkohshme të javës së kaluar për t’i dhënë fund luftës dhe rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz.
Megjithëse marrëveshja e përkohshme është vënë tashmë në provë, disa anije kanë nisur të kalojnë përsëri nëpër ngushticën jetike, duke transportuar naftë bruto, gaz natyror të lëngshëm (LNG), plehra kimike dhe mallra të tjera.
Susannah Streeter, drejtoreshë e strategjisë së investimeve në “Ëealth Club”, tha se frika për një krizë të zgjatur globale të energjisë e shkaktuar nga konflikti me Iranin po zbehet.
Pas shpërthimit të konfliktit, çmimi i naftës u rrit deri në 120 dollarë për fuçi. Lufta bllokoi praktikisht për afro katër muaj Ngushticën e Hormuzit, duke nxitur shqetësime për një rritje të fortë të inflacionit në mbarë botën.