Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari Lila, në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë uroi që sot të arrihet një marrëveshje në takimin mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe të parit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për çështjen e presidentit.
Ajo rikujtoi se në asnjë rast deri më tani as PDK e as LDK nuk kanë propozuar ndonjë iniciativë për të zgjidhur çështjen e presidentit.
Zgjedhjet e reja përveç se do të kenë kosto, Kusari tha se do të vonojnë dhe do të ketë përsëri ngecje në funksionet vitale të shtetit.
“Prandaj ne shpresojmë që do të ketë një marrëveshje, përkundër se kjo është kompetencë e drejtpërdrejtë e kryeministrit i cili zhvillon në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje këto takime dhe vendit të evitojë atë çfarë më së paku e ka të nevojshme apo e ka fare të panevojshme shkuarjen në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja do të kenë përveçse kosto, vonesa dhe ngecje në funksionet vitale të shtetit tonë, përkundër se do të rrezikonin edhe disa prej proceseve të cilat tashmë janë në një dinamikë shumë pozitive të vendit tonë”, tha ajo.“Po e ritheksoj që deri më tani ka pasur vetëm iniciativë apo nismë apo ftesë nga kryeministri Kurti, ndërsa Partia Demokratike me aq sa kemi dëgjuar të gjithë bashkë përmes opinionit publik është se pret një ofertë me shkrim. Nëse ftesa duhet shkuar me shkrim, ndoshta edhe mund të bëhet, përkundër se duhet prapë të ulet e të diskutohet mbi parimin e zgjedhjes dhe emra konkretë të cilët edhe Partia Demokratike e Kosovës mund t'i propozojë për president të vendit. Për shkak se tashmë jemi në javën finale që duhet të zgjidhet titullari i institucionit më të lartë në vend para se të ndodhë ajo që nuk e duam, që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje", tha ajo.