Gjykata Supreme pritet të vendosë brenda dy ditëve të ardhshme për dy ankesat e paraqitura nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Përfundimi i këtij procesi konsiderohet vendimtar për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe nisjen e procedurave për krijimin e institucioneve të reja, raporton KosovaPress.
Megjithëse nga Gjykata Supreme nuk kanë bërë të ditur për KosovaPress nëse vendimi do të merret para skadimit të afatit ligjor, njohësit e proceseve zgjedhore vlerësojnë se, nëse nuk kërkohet rinumërim apo ndonjë veprim tjetër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), certifikimi i rezultateve mund të bëhet deri në fund të kësaj jave.
“Certifikimi i rezultateve duhet të ndodhë brenda afateve të parapara ligjore. Nëse Gjykata Supreme nxjerr vendimin ku nuk kërkon veprime shtesë nga ana e KQZ-së apo PZAP-së, atëherë certifikimi i zgjedhjeve mund të ndodhë brenda kësaj periudhe kohore, deri në fund të javës. Jo domosdoshmërisht Gjykata Supreme mund të presë deri në afatin e paraparë ligjor dhe kjo mund të shpie deri te një certifikim edhe më i hershëm i zgjedhjeve”, deklaron ai.
Ai thekson se, pas certifikimit, nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore që seanca konstituive e Kuvendit të thirret menjëherë, pavarësisht se Kushtetuta përcakton afatin maksimal prej 30 ditësh.“Afatet janë orientuese dhe jo detyrimisht duhet të presim 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për konstituimin e Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, menjëherë u.d. e presidentes mund të marrë veprime dhe të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Pastaj janë procedurat në bazë të Rregullores së Kuvendit, ku pesë ditë para mbajtjes së seancës konstituive kryetarja e Kuvendit të legjislaturës paraprake duhet t’i mbledhë përfaqësuesit e partive parlamentare që të përcaktojnë agjendën e seancës konstituive të Kuvendit. Sipas nenit 8 të Rregullores së Kuvendit, ky proces është procedural dhe nuk mund të tjetërsohet nga ana e kryetarit të Kuvendit të kaluar. Seanca konstituive në rend të ditës e ka formimin e komisionit të përhershëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë brenda tridhjetë ditëve afat kohor sipas legjislacionit në fuqi”, shton hulumtuesi i IKD-së.
Certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve po e pret edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.
Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të jetë hapi i fundit juridik para certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Krahas konstituimit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet edhe ta zgjedhin presidentin e ri, për të cilin ka afat 60 ditë prej momentit të konstituimit të Kuvendit.
Artikulli i plot% në sistemin me parapagim...