Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se draftligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka shënuar përparim krahasuar me versionet e mëparshme, por ende përmban mangësi që duhet të adresohen para miratimit të tij.
Në prezantimin e raportit “Pasuria e pajustifikueshme, drejtësia e justifikueshme”, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gëzim Shala, tha se projektligji është diskutuar prej gjashtë vitesh dhe është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese.
“Gjetjet tregojnë se ende mbesin çështje të hapura në raport me këtë projektligj, përkundër faktit se qëllimi mund të jetë legjitim, është po ashtu legjitime që edhe ky projektligj të garantojë siguri juridike dhe mbrojtje nga arbitrariteti, në mënyrë që të jetë një mjet i sundimit të ligjit në fushën e luftimit të pasurisë së pajustifikueshme dhe në asnjë rrethanë një mjet arbitrar në raport me subjektet që i nënshtrohen këtij ligji. Fillimisht, Instituti i Kosovës për Drejtësi e vlerëson përparimin e bërë të këtij drafti në raport me draftin paraprak në kuptim të inkorporimit të gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë, ende mbesin çështje serioze të hapura, të cilat kërkojnë rishikim të këtij projektligji derisa i njëjti duhet të miratohet. Byroja do të ketë një mandat të rëndësishëm dhe për këtë arsye, edhe procedura dhe mandati i saj duhet të jetë i qartë, i saktë dhe që të mos të mos krijojë hapësirë të mjaftueshme për arbitraritet.”, u shpreh Shala.
Më tej, Shala tha se draftligji duhet të garantojë pavarësi më të madhe të Byrosë, duke rekomanduar që drejtori dhe anëtarët e komisionit mbikëqyrës të zgjidhen me të paktën 61 vota në Kuvend.Sipas tij, projektligji ka bërë përmirësim edhe në përcaktimin e periudhës së verifikimit, në të cilën Gjykata Kushtetuese më parë kishte gjetur problematika.