Burim Meta reagon ndaj deklaratave për Osmanin: Të shmangen thirrjet që nxisin dhunë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Burim Meta reagon ndaj deklaratave për Osmanin: Të shmangen thirrjet që nxisin dhunë
Burim meta
09/03/2026 - 17:06
Linku u kopjua

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga koalicioni Guxo, Burim Meta, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit për Presidenten Vjosa Osmani, duke i cilësuar ato serioze dhe të rrezikshme, ndërsa ka komentuar edhe raportet brenda subjektit Guxo.

Meta ka thënë se deklarata se Osmani “po të ishte në Turqi do të pushkatohej” është tejet serioze dhe e rrezikshme, pasi sipas tij mund të nxisë reagime reale vrastare ndaj saj.

Ai ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe ka theksuar se në vend nuk duhet të ketë asnjë veprim dhune ndaj askujt.

“Lutem që të mos ketë asnjë veprim dhune ndaj askujt në këtë vend, sado që mendime të dhunshme e vrastare mund të fshihen në mendjet e mendjelehtëve”, ka deklaruar Meta.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci, duke thënë se veprimet e tyre tregojnë mungesë parimesh dhe etje për pushtet.

Sipas Metës, pavarësisht pozitave që mbajnë aktualisht, ata nuk do të mbahen mend për “burrëri e njerëzillëk”, duke shtuar se Vjosa Osmani i ka ndihmuar politikisht në të kaluarën.

Tutje, ai e ka cilësuar si veprim të duhur dhe njerëzor dorëheqjen e deputetit Haxhi Avdyli nga Guxo.

“Edhe pse mbase me pak vonesë, por gjithsesi një veprim tejet i duhur dhe sipas meje njerëzor është dorëheqja e deputetit Haxhi Avdyli nga GUXO”, ka shkruar Meta në Facebook.

Prokuroria Speciale e Kosovës bën të ditur se ka iniciuar rast penal lidhur me kërcënimet e raportuara ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu.  

Sipas prokurorisë, rasti është iniciuar sot dhe lidhet me dyshimet për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, të paraparë me nenin 121, në lidhje me nenin 119 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Në reagimin e Presidencës thuhet se ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike.

KosovaPress merr vesh se ky reagim vjen pas një postimi të Halil Gecit, në rrjetin social Facebook, ku ai shkruan ndër të tjera "Po të ishte në Turqi, do twë pushkatohej."

Deklaratat e tij për situatën kushtetuese në vend shkaktuan reagime dhe interpretime të shumta.

Por, ish-veprimtari i LDK-së, Halil Geci, thotë se nuk ka kërcënuar askënd dhe se gjithçka që ka thënë ishte vetëm një shembull hipotetik.

Në një deklaratë për KosovaPress, Geci tha se ai vetëm ka përcjellë mendimet që, sipas tij, janë shprehur edhe nga disa juristë lidhur me situatën kushtetuese në vend.

Sipas Gecit, deklarata e tij ishte vetëm një krahasim hipotetik për të shpjeguar një situatë të mundshme.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026