Botërori ka shtuar kërkesën për fanella sportive në Kosovë
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Botërori ka shtuar kërkesën për fanella sportive në Kosovë
fanellat
12/07/2026 - 12:21
Linku u kopjua

Kupa e Botës 2026 nuk ka sjellë vetëm emocione për tifozët e futbollit, por ka ndikuar edhe në tregun e produkteve sportive në Kosovë.

Gjatë këtij kampionati, shitësit e fanellave sportive kanë vërejtur rritje të interesimit nga qytetarët, të cilët kanë kërkuar kryesisht fanellat e kombëtareve pjesëmarrëse në Botëror.

KosovaPress ka vizituar disa pika të shitjes së fanellave sportive në Prishtinë, ku pronarët dhe shitësit kanë treguar se si Botërori ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe cilat kombëtare janë më të preferuarat nga tifozët kosovarë.

Pronari i lokalit “Dyqani Sportiv” në Prishtinë, Arbër Lepaja, thotë se çdo kompeticion i madh futbolli ndikon në shitjen e fanellave, por Botërori ka sjellë një interesim të veçantë tek konsumatorët.

Ne jemi dyqan sportiv që merremi kryesisht me shitjen e fanellave sportive. Si çdo kompeticion tjetër, edhe Botërori ka pasur ndikim shumë të mirë në shitjen e fanellave sportive. Janë shitur kryesisht fanellat e Argjentinës më së shumti, Brazilit gjithashtu, ndërsa në fillim të Botërorit kishte interesim edhe për Gjermaninë, por pas eliminimit nuk ishte më aq e kërkuar”, u shpreh Lepaja.

Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe është vërejtur edhe një rritje e numrit të blerësve nga diaspora, të cilët kërkojnë kryesisht fanellat e kombëtareve të vendeve ku jetojnë.

Edhe në tregjet e Prishtinës është rritur shitja e fanellave gjatë Botërorit. Shitësi Fatmir Beda tregon se përveç kombëtareve, tifozët po kërkojnë edhe fanella me emrat e yjeve të turneut.

“Kanë filluar tash të shiten pak më shumë, sepse është edhe sezona e tyre, por edhe prej kampionatit botëror. Më së shumti po shiten fanellat e Olises dhe Mbappés nga Franca. Po shitet edhe fanella e Lamine Yamalit, por më pak, po ashtu edhe e Neymarit”, tha Beda.

Sipas tij, çmimet ndryshojnë varësisht nga cilësia e fanellës, ndërsa ardhja e diasporës ka ndikuar në rritjen e shitjeve.

Kemi 8 euro pa shenjë Nike apo Adidas, ndërsa 15 euro janë me shenjë. Prej sodit ka filluar diaspora të blejë. Shyqyr që po vijnë, ata po e ngritin pak punën. Pa ata nuk ka të gjallë as Kosova, kjo është shumë mirë për neve”, deklaroi Beda.

Interesimi për fanellat sportive gjatë Botërorit dëshmon edhe një herë lidhjen e madhe të tifozëve kosovarë me futbollin ndërkombëtar. Pavarësisht se Kosova nuk është pjesë e këtij turneu, qytetarët kanë treguar mbështetje për kombëtare të ndryshme dhe për yjet më të mëdhenj të futbollit botëror. Atmosfera e krijuar gjatë Kupës së Botës është reflektuar edhe në treg, ku fanellat e ekipeve pjesëmarrëse janë bërë ndër produktet sportive më të kërkuara gjatë kësaj periudhe.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026