Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka dhënë mendimin e tij për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, duke veçuar një favorit të lehtë mes dy skuadrave finaliste PSG-Arsenal.
Cana, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur në ligat më të forta evropiane si Franca, Anglia, Italia dhe Turqia, duke përfaqësuar klube të njohura si Paris Saint-Germain, Marseille, Sunderland, Galatasaray, Lazio dhe Nantes, mbetet një zë i respektuar në analizat e futbollit. Ishte gjithashtu kapiten i Shqipërisë në pjesëmarrjen e parë historike në një turne madhor, Euro 2016 në Francë.
“Është një nga finalet prapë në këtë vit, është një nga ish-klubet e mi, ku e kam ndërtuar formacionin ku jam rritur, ku kam dalë dhe sigurisht e kam një preferencë për Parisin që do të fitojë. Mbetet favorit pak më shumë se Arsenali, por këto ekipet, tri nga katër ekipet më të mira shkuan në çerekfinale. Bayerni, të kishte kaluar Bayerni në 180 minuta, nuk do të kishte qenë edhe skandaloze, ka pasur, ka treguar limite. Parisi e kaloi sepse u desh njëra nga këto dyja, ku kanë qenë dy më të mirat, por nëse është një top treshe, Arsenali përbën këtë treshe, ka qenë gati i pagabueshëm, nuk ka humbur asnjë lojë në fazën e grupeve, është në momentin kyç të realizimit, ka me qenë në një avantazh të vogël të Parisit. Nuk është që ka një favorit të madh dhe ka me qenë, besoj, një lojë spektakolare për ta ndjekur” – deklaroi Lorik Cana.
Sipas Canës, edhe pse ndeshja pritet të jetë shumë e barabartë, Paris Saint-Germain ka një avantazh të lehtë ndaj Arsenalit, duke e bërë finalen edhe më tërheqëse për tifozët e futbollit në mbarë botën.KosovaPress