Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar se të mërkurën, më 27 maj 2026 besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, ndërsa manifestimi është planifikuar të fillojë në ora 4:25, e falja e Namazit në ora 5:40.
Sipas kryesisë së BIK-ut namazin e Kurban Bajramit do ta prijë Mustafë Dallku, kurse mesazhin do ta mbaj myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, thuhet në njoftimin e BIK, transmeton KosovaPress.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Manifestimi fillon në orën 4:25, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Arbnor ef. Sinani – kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Skenderaj.Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 27 maj 2026, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranoj haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona.