Berisha: Pas rishqyrtimit të çështjes më është hequr statusi “non grata” nga SHBA
Tjera
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Berisha: Pas rishqyrtimit të çështjes më është hequr statusi “non grata” nga SHBA
Sali Berisha1234
12/06/2026 - 13:46
Linku u kopjua

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është liruar nga sanksionimi ‘non grata’ i shpallur plot pesë vite më parë nga ish Sekretari i Shtetit Blinken që i pengonte atij dhe familjes së tij hyrjen në SHBA.

Përmes një njoftimi një Facebook, ai ka shkruar se atij dhe familjarëve të tij u është rikthyer e drejta për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një rishqyrtimi të çështjes nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime”, ka shkruar Berisha.

Ai ka falënderuar administratën e Presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për atë që e quajti korrigjim të një vendimi të padrejtë.

Për këtë vendim që Berisha pretendon të jetë rezultat i lobimit të Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe mentorit të tij George Soros.

“Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros. Unë falenderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor”, shkroi ai.

Në deklaratën e tij, ai ka shprehur mirënjohje edhe për qytetarët që e mbështetën në zgjedhjet e fundit, duke i ftuar anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike të vazhdojnë përpjekjet për, siç u shpreh ai, rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.

Ndërkaq Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” në maj të vitit 2021 nga ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Në vendimin e tij, Blinken deklaronte se veprimet e Berishës “minojnë demokracinë në Shqipëri” dhe lidhen me “përfshirjen në korrupsion domethënës”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026