Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha ka akuzuar kryeministri e Shqipërisë Edi Ramën se po mbron “Putinin e vogël të rajonit”, Alekasandar Vuçiq, derisa ka shtuar se në mënyrë antishqiptare dhe ç’njerëzore, u thotë shqiptarëve dhe botës se nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës.
Berisha në një konferencë për media, tha se prapa mbrojtjes që i bën Rama aksit Moskë-Beograd, qëndron shkelmimi që ai u bën interesave kombëtare të shqiptarëve.
Ai duke akuzuar Ramën ka pyetur se në cilin traktat, ligj ndërkombëtar është shkruar që gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit të mos konsiderohen.
“Edi Rama në mënyrë antishqiptare dhe ç’njerëzore, u thotë shqiptarëve dhe botës se unë nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës. Nuk bie dakord me Vuçiçin për njohjen e Kosovës, por nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës. Kërkesën që ai i drejton Vuçiçit publikisht, ndoshta dhe privatisht, për njohjen e Kosovës e ka të miratuar plotësisht nga padroni i tij....Edi Rama në qëndrimin ndaj Aleksandër Vuçiç dhe Beogradit, shkelmon mbi gjakun e dhjetëra mijëra shqiptarëve vetëm në luftën e fundit. Çfarë je ti zotëri, na thuaj, që kërkon të arkivosh gjenocidin dhe krimet e luftës që ka kryer Serbia në Kosovë. Çfarë autoriteti ke ti përveç skllavërisë ndaj Vuçiçit. Si mund ta bësh një gjë të tillë. Shpjegojua shqiptarëve, janë 1500 fëmijë të djegur të gjallë, të vrarë, të therur në luftën e fundit.
“A shqipëroi një fjalë të vetme Edi Rama kundër kësaj marrëveshje, e cila është komentuar gjerësisht në Evropë. Marrëveshje që Serbisë po i kërkojnë shpjegime edhe në Uashington. A mundet që ky avokati i Vuçiçit të na thojë pak, në interes të kujt është kjo marrëveshje, në një kohë kur i kërkohen sanksione ai firmos marrëveshjen për bashkëpunimin me Vuçiçin. Çfarë duhet të bëjë ky më shumë ndaj shqiptarëve, që ne ta tolerojmë këtë. A ka ndonjë hap tjetër për të faktuar vasalitetin e tij ndaj Vuçiçit. Ky mos njohjen e Kosovës e justifikon me qëndrimin që mban qeveria e Kosovës ndaj gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit nga Beogradi.