Marija Pavkoviq, vajza e gjeneralit famëkeq ser btë dënuar për krime në Kosovë Nebojsha Pavkoviq, ka konfirmuar se familja e saj do të dorëzojë sot një padi kundër NATO-s në Gjykatën e Dytë Themelore në Beograd. Padia siç ka thënë ajo, do të jetë për vdekjen e babait të saj, të cilën e lidh me pasojat e ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar të përdorur gjatë bombardimeve të NATO-s kundër RF të Jugosllavisë në vitin 1999.
Sipas saj, ideja për padinë kundër NATO-s erdhi nga avokati Aleksiq, derisa deklaroi se nuk ka pritshmëri të veçanta, por dëshiron të përpiqet të arrijë drejtësi.
Madje, Pavkoviq paralajmëroi se, nëse do të jetë e mundur, do të paraqesë padi edhe kundër Finlandës për siç pretendoi ajo, neglizhencë ndaj gjendjes shëndetësore të babait të saj dhe për trajtimin që ai mori gjatë vuajtjes së dënimit në atë vend, ku ishte transferuar pas dënimit nga Tribunali i Hagës.
“Derisa babai ishte gjallë, planifikonim të ngrinim padi kundër Finlandës për neglizhencën ndaj gjendjes së tij shëndetësore, për trajtimin dhe për gjithçka që nuk u bë për t’i ofruar kujdesin e nevojshëm”, pretendoi ajo.“Për gjashtë muaj nuk i dhanë diagnozë, ndërsa e trajtonin vetëm me ilaçe kundër dhimbjeve. Praktikisht vepruan sikur prisnin që sëmundja të përparonte, gjë që në shekullin XXI është e papranueshme”, deklaroi ajo.
E, sipas saj, gjenerali famëkeq kishte dëshirë, sa ishte gjallë, të padiste edhe burgun finlandez dhe shtetin finlandez.
Ai ka deklaruar më herët se analizat laboratorike të kryera në një laborator të akredituar italian kanë konfirmuar praninë e uraniumit dhe disa metaleve toksike në inde të gjeneralit Pavkoviq, në përqendrime shumë të larta.