Kryeministri Alexander De Croo paralajmëroi sot se asnjë sirian në Belgjikë nuk do të kthehet prapa derisa të arrihet stabiliteti në Siri.
De Croo bëri deklarata për debatin evropian për "kthimin e sirianëve" që filloi pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Assadit të dielën e kaluar, sipas agjencisë belge të lajmeve Belga.
"Kur situata stabilizohet, ne kemi përgjegjësinë të sigurojmë që njerëzit të mund të kthehen të sigurt në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare. Por sot nuk është kështu," tha ai.
Duke shprehur kënaqësinë për përmbysjen e regjimit, De Croo vuri në dukje se situata "vazhdon të jetë shumë e paqëndrueshme" në Siri.De Croo vuri në dukje nevojën për një proces tranzicioni paqësor, qeveri përfaqësuese dhe respektimin e integritetit territorial në Siri, duke theksuar se bombardimet e Izraelit ndaj vendit "duhet të ndalen menjëherë".
Pas rënies së Assad, disa vende të BE-së, përfshirë Belgjikën, njoftuan se do të rishikojnë aplikimet për azil në pritje nga sirianët ose i kanë pezulluar tashmë ato.
Sirianët janë ndër kandidatët kryesorë për azil në Belgjikë. Rreth 35.000 sirianë kanë marrë azil në Belgjikë qe nga fillimi i luftës civile në Siri më 2011. /AA