Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë dhënë qëndrim pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Ato përcjellin thirrjen e Bashkimit Evropian për një formim të shpejtë të institucioneve, ndërsa vlerësojnë se procesi zgjedhor reflektoi demokracinë në vend.
Ndërsa për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian cilëson se mbetet një proces që duhet çuar drejt normalizimit.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i facilituar nga BE-ja, vazhdon të jetë mënyra e vetme që të dyja vendet të bëjnë përparim në rrugët e tyre evropiane. Presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa apo kushte të mëtejshme. BE-ja është gati të organizojë një takim në nivel të lartë sapo kushtet e lejojnë”.
“Ne i bëjmë thirrje Kuvendit, sapo të formohet, të ratifikojë marrëveshjet lidhur me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i kohëzuar i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt për të përfituar të gjitha mundësitë nën Planin e Rritjes, për të mirën e popullsisë së saj”, shkruan deklarata”.
BE rikujton se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar ndërsa vazhdon synimi për lirimin e mëtutjeshëm të fondeve.