Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për zhvillimet të cilat kanë çuar në vendimin për të anuluar samitin e radhës të shefave të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Kroacinë dhe Slloveninë që është dashur të zhvillohej në muajin maj, në ishullin kroat Brijoni.
Këtë e qëndrim e paraqiti zëdhënësi i BE-së duke u përgjigjur pyetjes lidhur me vendimin e presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, për të anuluar këtë samit për shkak të deklaratave nxitëse të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti Milanoviq tha se kolegu i tij nga Serbia Aleksandar Vuçiq nuk është i mirëseardhur në Kroaci për shkak të deklaratave të tij të fundit, të cilat Kroacia i sheh të jenë në kundërshtim të plotë me qëllimet e procesit Brdo-Brioni, i dëmtojnë raportet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen e stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdimisht sulmojnë verbalisht Kroacinë duke e fajësuar për nxitje të revolucionit në Serbi me qëllim të rrëzimit të pushtetit.Nisma Brdo-Brojoni është një forum i përbashkët i iniciuar nga dy vendet e BE-së Kroacia dhe Sllovenia për t’u ndihmuar vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE. Integrimin e rajonit në BE edhe Kroacia edhe Sllovenia e kanë identifikuar si interes të tyre strategjik.
Samiti i fundit Brdo-Brijon ishte zhvilluar në vjeshtë të vitit të kaluar në Tiranë ku kishin marrë pjesë të gjithë presidentët e vendeve të rajonit, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Vuçiq.