Pas ratifikimit në Kuvend të Kosovës të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje sipas Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë kështu një stimul të rëndësishëm avancimit të reformave, transmeton KosovaPress.
Sipas njoftimit nga zëdhënësi të Bashkimit Evropian, Nikola Gaon, parafinancimi përfaqëson 7% të totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi të favorshme në dispozicion të Kosovës në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike deri në fund të vitit 2027. Këto mjete do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF), duke e afruar edhe më shumë Kosovën me BE-në.
Në Agjendën e vet të Reformave që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike – Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.
Secili hap i reformave është i ndërlidhur me një alokim specifik financiar. Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse.“Bashkimi Evropian qëndron përkrah Kosovës në rrugën e integrimit në BE. Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në dhe për afrim më të madh të ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së. Përmes kësaj përkrahje, BE-ja synon t’i ndihmojë Kosovës të forcojë sundimin e ligjit, të avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital, si dhe të nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, u shpreh shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
“Kosova është e përkushtuar për zbatim në kohë të Agjendës së Reformave, si dhe për t’i shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga Plani për Rritje Ekonomike. Vërtet është humbur pak kohë, por ne do të bëjmë çmos t’i përshpejtojmë reformat dhe t’i përmbushim zotimet tona. Kjo është detyrë e vështirë, por e arritshme”, u shpreh Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Për më shumë informacion rreth 111 hapave të reformave të Kosovës dhe pagesat e bëra përmes Planit të BE-së për Rritje Ekonomike, ju lutemi të konsultoni Tabelën Vlerësuese të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.