Situata në veri të vendit është e qetë, por vazhdon të jetë ende e brishtë për shkak të ekzistencës së faktorëve potencialë që mund të shkaktojnë tensione, thotë në një intervistë për KosovaPress, shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.
Derisa flet për situatën e sigurisë në veri të vendit, krahasuar me periudhën para agresionit në Banjskë dhe gjendjen sot, Barbano thekson se angazhimet e qeverisë së Kosovës në dialog kanë parandaluar incidente.

Merita i atribuon angazhimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës në kuadër të dialogut për situatën në veri, të cilat nënvizon se kanë rezultuar të dobishme në parandalimin e incidenteve.
“Duhet të them se zhvillimet e fundit dhe angazhimi i qeverisë në kuadër të dialogut, veçanërisht në veri, kanë rezultuar shumë të dobishme dhe efektive në parandalimin e incidenteve. Megjithatë, herë pas here ka ende veprime që nuk janë mjaftueshëm të koordinuara në nivel lokal dhe që vazhdojnë të tërheqin vëmendjen dhe shqetësimin tonë”, thekson ai.Barbano shprehet i shqetësuar me zbulimin e vazhdueshëm të armëve, jo vetëm në veri por në të gjithë territorin e Kosovës, gjë e cila sipas tij, tregon se këto armë janë relativisht të lehta për t’u siguruar.
“Një aspekt që vazhdon të na shqetësojë është zbulimi i vazhdueshëm i armëve, jo vetëm në veri por në gjithë Kosovën. Kjo tregon se armët dhe mjetet ofensive vazhdojnë të jenë të disponueshme dhe relativisht të lehta për t’u siguruar. Prandaj kjo kërkon vëmendje të madhe si nga policia ashtu edhe nga prokuroria, si dhe nisjen e fushatave për dorëzimin vullnetar të armëve me qëllim çmilitarizimin e këtyre zonave”, thotë ai në intervistën e fundit si shef i Misionit të EULEX-it.