Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka prezantuar raportin preliminar të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales” lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Shqetësime serioze ka konstatuar ky raport, i cili është dokument voluminoz i prezantuar të enjten në Prishtinë, ku mes tjerash konstaton se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar.
Ky raport është hartuar nga një organizatë e pavarur juridike me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë angazhuar ekspertë britanike me kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit, pas shqetësimeve për mos respektim të standardeve për të drejtat e njeriut.
Ky raport është pranuar para tri ditëve nga Institucioni i Avokatit të Popullit, ku Naim Qelaj tha se konfirmon të gjitha shqetësimet e ngritura kohë më parë nga vet ai.
“Raporti konfirmon shqetësimet e ngritura, konstaton se këto shqetësime janë substanciale dhe mjaftueshëm serioze për të justifikuar shqyrtim të mëtejshëm institucional. Pra, fakti që raporti është preliminar nuk do të thotë që ka arritur të konstatojë shkeljet në mënyrë të faktuar por që shqetësimet i vërteton dhe për më tepër, në pikën 26 të raportit qysh në fillim raporti konstaton se mandati i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka pasur devijim nga qëllimi fillestar dhe nuk është në frymën e pretenduar të pretendimeve nga raporti i Këshillit të Evropës”, ka deklaruar ai.
Tutje, në konferencë për media, ai tha se raporti i ekspertëve britanikë tregon që mbikëqyrja sistematike e komunikimeve përbën ndërhyrje.
Raporti i ekspertëve britanikë flet edhe për pranimin e provave nga Serbia, për çka Qelaj para mediave tha se evidenton “pasiguri të konsiderueshme juridike”.
“Në raport me pranueshmërinë e provave, veçanërisht provave të pranuara nga Serbia, raporti evidenton pasiguri të konsiderueshme juridike. Qasja e pranimit të parakohshëm të provave dhe shtyrja e vlerësimit përfundimtar deri në gjykim përshkruhet si burim potencial i padrejtësisë procedurale dhe pasiguri për palët. Sa i përket provave me origjinë nga Serbia, raporti konstaton mungesë transparence serioze, pasi kërkesat e mbrojtjes për qasje dhe zbulim të origjinës së materialeve mbesin pa vendim publik. Mungesa e çfarëdo vendimi publik, përbën në vetvete shqetësim për transparencën, është konstatuar në raport. Lidhur me parimin e barazisë së armëve, raporti identifikon shqetësime paraprake që prekin efektivitetin e mbrojtjes, përfshirë kufizimet në vizita të privilegjuara, mungesën e hapësirës adekuate për përgatitje, zhvillimin e vonuar dhe të pjesshëm të provave, procedurat penale paralele dhe ndryshimet e njëanshme të sistemit të ndihmës juridike. Raporti vlerëson se këto elemente përbëjnë indikator serioz që kërkojnë analizë të mëtejme”, u shpreh ai.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se raporti do u dërgohet institucioneve vendore, misioneve diplomatike, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.
Ky raport i organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales”, është kërkuar si shkak i shqetësimeve që ka ngritur Avokati i Popullit për respektimin e të drejtave themelore në kuadër të proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës. Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...