Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka publikuar versionin e ri të Sistemit Elektronik “EDI”, i cili sjell një shërbim të ri elektronik, të quajtur "Kërkesë për Fiskalizim", të cilin mund ta gjeni duke klikuar këtu.
Sipas ATK-së, ky shërbim është funksionalizuar në zbatim të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, me qëllim të pajisjes së tatimpaguesve me Kodin Unik për Fiskalizim, i cili është kusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).
“Përmes shërbimit "Kërkesë për Fiskalizim" mund të aplikojnë: tatimpaguesit që do të fillojnë përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF); tatimpaguesit që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në Softuerin Elektronik Fiskal (SEF)”, thuhet në njoftimin pwr bizneset.
Shërbimi është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI, në menynë "Fiskalizimi", përmes opsionit "Kërkesë për Fiskalizim".Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që planifikojnë të përdorin Softuerin Elektronik Fiskal, si dhe atyre që po kalojnë nga PEF në SEF, të verifikojnë statusin e tyre në Sistemin Elektronik EDI dhe, nëse është e nevojshme, të aplikojnë për pajisjen me Kodin Unik për Fiskalizim.
Sipas ATK-së, publikimi i këtij versioni të ri të EDI-së është pjesë e angazhimeve për digjitalizimin e proceseve tatimore dhe ofrimin e shërbimeve më moderne, efikase dhe më të qasshme për tatimpaguesit.