Numri i vizitorëve në Kosovë gjatë vitit 2025 ka shënuar rritje krahasuar me një vit më parë (2024), bëjnë të ditur të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas hulumtimit për hotelerinë dhe turizmin, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 762 mijë e 836 vizitorë vendorë dhe të huaj. Prej tyre, 39.3 për qind ishin vizitorë vendorë, ndërsa 60.7 për qind të huaj, përcjell KosovaPress.
ASK-ja njofton se numri i vizitorëve vendorë është rritur për 9.1 për qind krahasuar me vitin 2024, ndërsa net-qëndrimet e tyre janë shtuar për 8 për qind.
Numri më i madh i turistëve të huaj ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe TurqiaTë dhënat tregojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025, 639 mijë e 945 banorë të Kosovës kanë realizuar të paktën një udhëtim me net-qëndrim brenda ose jashtë vendit.
Ndërkaq, sipas statistikave të mbledhura në pikat kufitare, gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 në territorin e Republikës së Kosovës janë regjistruar 7 milionë e 465 mijë e 625 hyrje të shtetasve të huaj.
