Lufta për barazi pavarësisht pengesave
Tema
Lexohet për: 11 min.
foto-dokumentari-
16 orë më parë
Linku u kopjua

Mua më ka marrë malli shumë të shkoj në shkollë. Më merr malli për shokët, për shoqet..."

Gjithmonë ka ëndërruar një botë pa kufizime. Fëmijëria e saj nuk ishte si e moshatarëve të tjerë.

Blerina lëviz vetëm me karrocë, e shoqëruar pothuajse çdo herë nga babai.

Rrëfimi i saj nis me kujtimet nga shkolla e fshatit, ku përfundoi nëntëvjeçaren.

“Unë normal që e kam ëndërr të kthehem në shkollë. Tash jam regjistruar në klasën e 10-të por për shkak të qasjes nuk jam duke shkuar... Mua më merr malli shumë të shkoj në shkollë. Më merr malli për shokët, për shoqet... Klasa e 10-të ende nuk kam qenë se nuk ka qasje, ende nuk kam qenë”, rrëfen Blerina Krasniqi.

Tetëmbëdhjetëvjeçarja nga fshati Grashticë e Prishtinës po përballet me sfida e barriera shoqërore. Asnjëherë nuk fajëson të tjerët, ani pse ka dëgjuar fjalë që e kanë lënduar shumë.

“Kur kam qenë më e vogël më kanë thënë ‘a e rrëzojmë Blerinën’ e gjëra të ndryshme por normal nuk i lë në faj se ne kemi qenë fëmijë në klasë të dytë ose të tretë”, vazhdon rrëfimin Blerina.

Lëvizja është e drejtë themelore e secilit njeri në botë. Por, Blerina në mungesë të pjerrinave në shkolla, pas përfundimit të nëntëvjeçares nuk e vazhdoi shkollimin.

Jo në mësim të rregullt, por së fundmi po vijon klasën e 10-të vetëm me provime klasore.

Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë janë të regjistruar mbi 212 mijë nxënës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, vetëm rreth 3700 fëmijë janë me aftësi të kufizuara.

Megjithatë, nuk dihet se sa është numri i fëmijëve të cilët janë jashtë bankave shkollore.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, arsimi fillor është i detyrueshëm dhe pa pagesë.

“Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj”, thuhet në Kushtetutë.

“Gratë të cilat kanë fëmijë me aftësi të kufizuara apo edhe vajzat dhe djemtë me aftësi të kufizuara, sfida më e madhe që e hasin gjatë jetës së tyre, do të thotë deri në moshën 18-vjeçare është qasja fizike në shkolla. Shumë prej tyre e kanë edhe të pamundur vijimin e shkollimit për shkak të qasjes fizike, e cila fatkeqësisht mungon në shkollat tona në shumicën e shkollave tona. Gjithashtu sfida tjetër është pranimi në shoqëri, paragjykimet të cilat ndodhin në shoqërinë tonë”, thotë Blerina Bajrami Marevci nga Handikos në Gjilan.

Fëmija i gjashtë i familjes Krasniqi e cila është e diagnostikuar me paralizë cerebrale synon që një ditë të bëhet aktore.

Ajo merr një pension nga shteti, por terapia që i rekomandohet nga mjeku tejkalon çdo herë këtë shumë.

Ismail Krasniqi, babai i Blerinës

Krasniqi: 800-900 euro nuk më dalin për shpenzime
(Video)

“215 i ka pension pa asistent, 450 i merr kështu, ilaçe, barna që i merr në muajt i ka, edhe nuk ka qare pa i marrë. Deshi apo nuk deshi, përjashtim nuk po i llogariti daljet me veturë ose ato ditë të humbura që shkojnë atje ose çfarë han e pinë nëpër qytet, ato nuk po i llogariti. Edhe pa i llogarit mjekimet, analizat që duhet të bëjë çdo dy-tre muaj, fizioterapi. Tash qendra e Handikos-it nuk mund të përfshijë të gjithë fëmijët për të marrë fizioterapi, po duhet të bëjë diku seancën 20-30 euro. Seancat te psikologu kushtojnë 20 euro dhe ka nevojë edhe për logopedë dhe kushton. Unë për veti me llogarit muajin 800-900 euro nuk ma qesin”, deklaron babai i Blerinës.

50-vjeçari nuk ka lënë derë pa trokitur për shërimin e vajzës së tij. Ai ka shpenzuar shumë, por asnjëherë nuk është ndihmuar nga shteti.

“Vështirë është shumë, nuk është e kollajshme, por nuk mund t’ia shpjegosh askujt. Veç ata që i kanë fëmijët kështu në shtëpi e dinë, se tjetër kujt nuk ia shpjegon. Të gjithë mund të paragjykojnë ‘pse nuk po ja bën kështu, pse nuk po ja bën kështu’, nuk mund të bësh asgjë. Në asnjë drejtim nuk mund të bësh asgjë, veç qysh e ka shkruar Zoti”, thotë ai.

Në kushte më të mira nuk po jeton as Resmia, e cila e vetme po e rrit vajzën e saj, Leandrën. Që nga lindja, gruaja nga Prizreni kishte vërejtur që fëmija i saj nuk po zhvillohet paralel me moshatarët e saj.

“Fatkeqësisht Leandra në lindje është dëmtuar edhe gjatë asaj kohe kanë nisur sëmundjet e saj një pas një me i pas. Deri në moshën pesë vjet e gjysmë nuk ka ecur”, rrëfen Resmia.

Leandra është diagnostikuar me paralizë cerebrale dhe vuan edhe nga epilepsia. Pesë vjet pas ardhjes në jetë, ajo iu nënshtrua operimit me shpresën se gjithçka do të përmirësohej...

“Sot vuan nga të dyja, ka paralizë cerebrale dhe me epilepsi. Leandra po rritet... për Leandrën unë jam vetë nënë, vetë babë. Babai i Leandrës ka vdekur dhe jena me të vërtetë në atë pikë që për të ofruar dikush një ndihmë. Qoftë për ilaçet e Leandrës, qoftë për pajisjet që kësaj mund t’i nevojiten për shkollë. Çfarë do lloj ndihme që mund ta ofrojë dikush është e mirëseardhur... Leandra për momentin e ka 150 euro pensionin invalidor. Diçka që nuk mund t’ia mbërrijë as terapinë. Incizimi i kokës i kushton 160 euro, 20 euro kontrollet, duke i përfshirë ilaçet që përdor edhe ‘tegretol’, është një shumë e paarritshme sepse në të njëjtën kohë e përdor shurupin ‘supermin’ dhe është më i shtrenjti, arrin vlerën 88-90 euro në muaj”, deklaron ajo.

Në përpjekjet e nënës që ta rris fëmijën e saj si të tjerët, ajo i vuan shumë vështirësitë që po përjeton vajza e saj 11-vjeçare në çdo hap që hedh deri në katin e tretë të shkollës - pa shoqërimin e asistentes.

“Hiç asgjë tjetër nuk kisha dashur, në qoftë se do të ishte nevoja ia kisha dhënë edhe këmbët e duart bre, veç ta shoh. Krejt barrën e saj, e dhimbjen e saj e kisha marrë për veti, vetëm kjo të jetë si shokët e shoqet”, shprehet ajo.

Ministria e Arsimit më parë ka thënë se janë ndërmarrë disa veprime për qasjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla, ku gjatë vitit të kaluar janë ndërtuar 15 pjerrina, ndërkaq këtë vit është paraparë ndërtimi i 18 të tjerave.

Pamundësia për qasje në hapësira publike konsiderohet cenim i rëndë i të drejtave të njeriut.

“Në nivelin lokal dhe në nivelin qendror nuk respektohen standardet në rastin e dhënies së lejeve të ndërtimit për qasje të personave me aftësi të kufizuara edhe në ato raste kur këto standarde vendosen në pëlqimin dhe lejet për ndërtim nuk monitorohen dhe nuk mbikëqyren mjaftueshëm, e njëjta nuk ndodhë vetëm në ndërtimet nga sektori privat por edhe nga sektori publik që e bënë edhe më të rëndë situatën. Ndodhë edhe në hapësirat publike, në parqe, në rrugë, në trotuare dhe në hapësira të tjera... E para është mungesa e masave të mjaftueshme nga shteti për t’ju garantuar qasje në hapësirat publike. Dhe kjo po mendoj që është një cenim i rëndë i të drejtave të njeriut”, deklaron Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Ndihmë institucionale jo, por së fundmi me dhjetëra raste janë vizituar nga ekipe profesionale të klinikës së parë mobile në vend.

Me mbështetje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë po implementohet projekti “Historia ime, dinjiteti im”, nga Handikos Gjilan, Inkluzioni, Handikos Ranillug dhe Qendra për Inovacione dhe Zhvillim në 12 komuna të rajonit të Gjilanit dhe Ferizajt, përfshirë edhe Komunën e Novobërdës.

Ky projekt adreson diskriminimin dhe dhunën e bazuar në gjini tek gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara si dhe nënat vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara.


“Jemi në terren katër herë gjatë javës, një ditë e javës mbetet për raportim të punës javore. Në terren i vizitojmë rastet në rajonin e Gjilanit, Viti, Kamenicë, Ranillug edhe gjithashtu edhe Komuna e Novobërdës. Gjithashtu ky projekt përfshin edhe rajonin e Ferizajt. Shërbimet që i ofron klinika mobile janë shërbime sociale që bëjnë vlerësimin e nevojave. Bëhen vizitat e para në familje, bëhet vlerësimi i nevojave pastaj shpërndahen detyrat varësisht prej nevojave në familje. Ofrohen shërbime psikologjike, shërbime infermierike dhe shërbime juridike. Tek shërbimet infermierike hyjnë edhe ofrimi i barnave të përshkruara nga mjeku të cilat i ofrojmë pa pagesë dhe mjeteve higjienike kur janë të nevojshme”,
njofton Blerta Bajrami-Marevci, punëtore sociale në Handikos-Gjilan.

Numër i madh i rasteve janë ndihmuar deri më tani nga rajone të ndryshme të Kosovës.

“Deri tash janë 150 gra me aftësi të kufizuara të përfshira në projekt, prej tyre 40 ja nëna vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Këto raste vijnë nga Komuna e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugit, Ferizajt, Kaqanikut dhe Hanit të Elezit. 105 prej tyre janë nga komuniteti shqiptar dhe 52 nga komuniteti serb”, shton ajo.

Në kuadër të këtij projekti janë krijuar edhe grupe vetëpërkrahëse, ku ndihmohen gratë me mbështetje ligjore dhe psikosociale.


“Gjatë kontaktit me to, gjatë vizitave me klinikën mobile kemi arritur të kuptojmë që në aspektin ligjor sfida më e madhe është mungesa e njohurive për të drejtat e tyre ligjore si dhe mungesa e njohurive për proceset ligjore që ato mund t’i ndjekin dhe duhet t’i ndjekin në raste specifike. Tek personat me aftësi të kufizuara është e kuptueshme që pengesa fizike dhe komunikimi ndikojnë, pengon në qasjen e shërbimeve. Por, në të njëjtën kohë këto gra në aspektin psikologjik, duke lënë anash pengesën fizike, këto grupe, këto gra shpesh ndihen të diskriminuara dhe kanë frikë edhe nga stigmatizimi dhe ndihen pa mbështetje adekuate dhe shpesh kjo i bën të hezitojnë që të kërkojnë drejtësi për të drejtat e tyre. Kjo është ndër sfidat kryesore që ata i kanë. Është mungesa e njohurive ligjore dhe mungesa e njohurive të procedurave ligjore”,
tregon Verona Maloku, zyrtare ligjore në organizatën “Inkluzion”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vendet në zhvillim si Kosova janë 7 deri në 10 për qind persona me aftësi të kufizuara.

Të gjitha institucionet publike dhe private, ligji i obligon që çdo të 50-in të punësuar ta kenë person me aftësi të kufizuara.

Ministria e Financave nuk i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me numrin e personave të punësuar nga kjo kategori, e as sa prej tyre marrin pension nga shteti.  

“Jo duke respektuar standardet ndërkombëtare që janë të njohura, por mund të them që edhe standardet mesatare apo minimale nuk janë duke u respektuar dhe ndoshta momentalisht kjo është një nga kategoritë më të diskriminuara në Kosovë”, deklaron kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala.

Ligji garanton të gëzuarit e të drejtave dhe mundësive të barabarta pa u përballur me diskriminim.

Blerina, Leandra e shumë vajza e gra të tjera me aftësi të kufizuara po jetojnë me shpresën se një ditë do të gëzojnë të drejtat e tyre elementare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024