“Më në fund mund t’i përqafojmë familjarët në Kosovë”, qytetarët e Bosnjës mezi e presin janarin
Lajme
Lexohet për: 5 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Hera e fundit që Hazbija Aganoviq vizitoi varrin e vëllait të saj që ka rënë dëshmor në luftën e viteve 1998-99 në Kosovë, ishte tri vjet më parë.

Vizitat e saj në Kosovë u pakësuan si pasojë e regjimit të vizave që ekziston për qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnje e Hercegovinës.

“Vështirë është, dikush që e ka flijuar jetën - ai është vëllai im e unë të mos mund të shkoj te varri i tij ka qenë shumë e vështirë për mua”, thotë ajo në një bisedë për KosovaPress, nga Sarajeva.

E lindur dhe e shkolluar në Kosovë, Hazbija ishte shpërngulur në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1986. Ajo nuk ka mundur asnjëherë të pajiset me dokumente të Kosovës.

Në Sarajevë jeton vetëm me bashkëshortin e saj... dhe mallin e përditshëm për nipat, mbesat dhe vëllain tjetër që jetojnë në Kaçanik të Kosovës.

Për lëvizje të lirë - pa regjim vizash - në Ballkanin Perëndimor ishte rënë dakord gjatë një takimi të mbajtur në kuadër të procesit të Berlinit, në fund të vitit 2022.

Menjëherë në muajin shkurt të vitit 2023, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen.

Por njësoj nuk ndodhi edhe në Bosnje e Hercegovinë. Heqjen e vizave atje nuk po e lejojnë zyrtarët e entitetit serb të BeH, Republika Sërpska - deputetët e së cilës, në qershor të vitit të kaluar, e bllokuan marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime.

Kjo çështje u riaktualizua ditë më parë në samitin e Procesit të Berlinit ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët me letërnjoftime të Bosnje e Hercegovinës.

Ky lajm ka gëzuar të gjithë ata që kanë mbetur të ndarë fizikisht për vite të tëra me familjarët e tyre, në të dy vendet.

“[Me të dëgjuar lajmin] E pash vetën në rrugë për në Kosovë", thotë Hazbija Aganoviq.

Pavarësisht vendimit të Kurtit, pak kush beson se lëvizja e lirë do të lejohet edhe për qytetarët e Kosovës që synojnë vizitat në BeH.

“Që 20 vjet askush prej familjes sime nuk ka ardhur këtu. Nënën e kam pasur këtu, më ka vdekur para tri vitesh e ndjera, nuk ka mundur askush të vijë, sepse nuk lejojnë të vijnë [lirshëm] kosovarët këtu [në Bosnje]. Vëllai ka tentuar të vijë kur ka vdekur nëna, për varrim, nuk ka mundur të marrë vizë", thotë Aganoviq.

Elvira Dushi, kryetare e Bashkësisë Shqiptare në Bosnje e Hercegovinë, thotë se imponimi i vizave kishte rënduar jetën e qytetarëve që mbetën të ndarë fizikisht me familjarët e tyre.

Ajo gjithashtu bën të ditur se procesi deri të pajisja me vizë ka qenë i ndërlikuar dhe i kushtueshëm për secilin qytetar.

“Edhe familja ime nuk ka qenë në vizitë në Bosnje e Hercegovinë më shumë se 20 vjet. Ka raste që nuk janë parë edhe më gjatë, as prej Bosnjës në Kosovë, as nga Kosova në Bosnje, ka pasur raste kur nuk janë përcjellur rastet e vdekjeve, nuk janë përcjellur gëzimet, si martesat, ose raste të tjera familjare", thotë Dushi.

Mulaim Kaqka i cili jeton në Prizren, është gëzuar që tani do të mund të pres në Kosovë familjarët dhe shoqërinë e tij që jetojnë në BeH.

Megjithatë, ai nuk pret që kufiri i Bosnjës “do të hapet” edhe për të dhe kosovarët që dëshirojnë të shkojnë atje.

Shumë aktivitete kulturore janë pamundësuar për shkak të procedurave burokratike që artistët është dashur t’i kalojnë për të ardhur në Kosovë, thotë kryetari i Shoqatës kulturore-artistike të komunitetit boshnjak “Sharski Behar”, Edis Mustafi nga Prizreni.

Hazbija Aganoviq pret që viti i ardhshëm të jetë krejt ndryshe për të dhe familjarët e saj në Kosovë.

Siç nuk ka ndodhur shpesh, tani ajo pret që të mos mungojë në përvjetorin e rënies së vëllait të saj, Kadri Trena, që shënohet në muajin prill.

“9 prilli kur është dita e dëshmorëve, në ditën e rënies, ajo ditë ka qenë e rëndë për mua, tani shpresoj që këtë 9 prill [të vitit të ardhshëm], atje do të jem”, thotë ajo.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/kritika-per-heqjen-e-vizave-per-bosnjen-permenden-rreziqet-e-mungeses-se-reciprocitetit

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024