Në pritje të strategjisë kundër korrupsionit
Tema
Lexohet për: 3 min.
korrupsioni
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kosova vazhdon të mos e ketë Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit dhe për këtë, qeveria po kritikohet nga shoqëria civile dhe vetë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Nga ekzekutivi thonë se tashmë e kanë hartuar këtë dokument i cili sipas tyre së shpejti do të dalë në konsultime publike.

Një strategji e tillë i mungon shtetit që prej vitit 2019, pasi asaj i kishte kaluar mandati.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë për KosovaPress se dokumenti është në fazën e adresimit të komenteve të fundit nga partnerët.  

“Qeveria ka hartuar Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit, me mbështetje të partnerëve tanë.  Aktualisht jemi në fazën e adresimit të komenteve të fundit nga partnerët tanë. Menjëherë pas adresimit të tyre, Strategjia do të dalë në konsultime publike”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.

Mungesa e një strategjie për luftimin e korrupsionit në vend i ka shkaktuar telashe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Drejtori Yll Buleshkaj thotë se në mungesë të kësaj strategjie, ky institucion nuk ka pasur çka të monitorojë - çka edhe e ka detyrë.

Madje, sipas tij, hartimi i strategjisë është nënvlerësuar si proces.

Megjithatë, Buleshkaj shprehet optimist që Kosova deri në fund të vitit do të ketë një dokument ku mund t’i orientojmë përpjekjet në mënyrë strategjike për të pasur suksese të prekshme.

Kritika ndaj qeverisë për vonesë në miratimin e këtij dokumenti, kanë nga shoqëria civile.

Drejtoresha e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli thotë se Qeveria e Kosovës ka dështuar ta hartojë këtë dokument të cilin e ka pasur obligim.

Sipas Demollit, një strategji kundër korrupsionit do të kanalizonte veprimet institucionale në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësime se si qeveria për pothuajse katër vjet nuk ka arritur ta hartojë një dokument të tillë të rëndësishëm kundër korrupsionit.

Deri tani Strategjia Shtetërore Kundër Korrupsion hartohej nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, tani për herë të parë ky dokument bëhet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Raporti i fundit për Kosovën i Komisionit Evropian ka konstatuar se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërkaq, Organizata ndërkombëtare, Freedom House përmes raportit sivjet vlerësoi se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet çështje shqetësuese.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024