BE-ja i reagon Kurtit për Asociacionin: Nuk mund të heqësh dorë nga përgjegjësitë në dialog
Tema
Lexohet për: 4 min.
BE-ja i reagon Kurtit për Asociacionin: Nuk mund të heqësh dorë nga përgjegjësitë në dialog
1 javë më parë
Linku u kopjua

Bashkimi Evropian thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund  të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe jashtë dialogut të Brukselit. Sipas tyre, çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë, ndërmjetësuesin e BE-së si dhe të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015.  Përkitazi me këtë, në unionin evropian kërkojnë nga ekzekutivi kosovar që pa vonesa ta dërgojnë draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga BE-ja në Gjykatën Kushtetuese.

Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti tha se nuk mund të bëjë asociacione të komunave në cilësinë e shefit të qeverisë dhe se iu takon komunave të bëjnë asociacionin, në BE thonë se Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë qëndrim të Bashkimit Evropian, mirëpo deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut thonë se pavarësisht presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, një gjë e tillë nuk pritet të ndodh. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti nuk do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese pa përfunduar zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi një gjë e tillë do të ndikonte në humbjen e votave në zgjedhje.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë për KosovaPress se kryeministri Albin Kurti duhet të ecë përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023, rrjedhimisht edhe të nisë hapat për themelimin e Asociacionit.

Më tej, Stano shton se draft-statuti evropian për Asociacionin bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane si dhe në kornizën ligjore të Kosovës.

Sipas tij, Kurti e ka pranuar në parim draft-statutin, në prani të liderëve evropianë dhe se i njëjti është mbështetur nga 27 vendet e BE-së. Andaj, siç thotë ai kualifikimi i këtij dokumenti si një “non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dialogun e Brukselit. 

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian e ka bërë obligim për Kosovën  draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga ata. Sipas tij, një gjë e tillë po shihet në bazë të qëndrimeve të institucioneve të BE-së dhe liderëve evropianë.

Megjithatë, ai thekson se nuk pret që kryeministri Kurti të dërgojë draftin në Gjykatë Kushtetuese para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Pas përfundimit zgjedhor, sipas tij, kushdo që do të jetë kryeministër “me një buzëqeshje të butë do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese”.

Ndërkaq, analistja politike, Magbule Shkodra, deklaron se  kryeministri Albin Kurti po heziton të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në kushtetuese për shkak të së kaluarës së tij dhe kundërshtimit të madh që i ka bërë kësaj teme.

Sipas saj, Kurti nuk do të dërgojë draftin në Kushtetuese edhe për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe rrezikut që kjo temë t’i humbë vota.

Kryeministri Albin Kurti dje deklaroi se nuk mund të bëjë asociacione të komunave në cilësinë e shefit të qeverisë, pasi një gjë e tillë, siç tha ai, iu takon komunave ta bëjnë.

Në vitin 2013, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. Mes tjerash, aty parashihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përkitazi me këtë temë, Kosova u dakordua edhe për marrëveshjen e parimeve për Asociacionin në vitin 2015, derisa në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023, parashihet zbatimi i marrëveshjeve të kaluara dhe krijimi i një vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë./E.Zeqiri/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024