Gruaja rome rrahet shkaku i dezinformimit medial
Edukimi Medial
Lexohet për: 4 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Shumë pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian po dhunohen, përjashtohen e bullizohen. Kjo ndodh në disa raste edhe për shkak të keqinformimit e etiketimit që po bëhet nga pikërisht mediat.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë thonë se fëmijët e gratë janë grupet më të ndjeshme që po atakohen nga lajme të pavërteta. Ata përmendin edhe raste për të cilat është keq informuar, e pjesëtarët e komuniteteve janë sulmuar apo përjashtuar nga shoqëria.

Senad Ibishi nga Zëri i Romëve, Ashkalinjve e Egjiptianëve (VoRAE), thotë se keqinformimi po afekton jetën e tri komuniteteve.

“Rastet e tilla të dezinformimit kemi pasur për fat të keq në Kosovë e që rasti më i keq është i gruas rome në komunën e Ferizaj, ku si pasojë e dezinformatës së një portali, duke ndarë informata të pasakta mbi atë që kinse e njëjta është duke kidnapuar fëmijë e duke keqtrajtuar e manipuluar me këtë informatë, e njëjta është atakuar tri herë brenda ditës, është rrahur nga të rinjtë e komunitetit shumicë. Ky është një problem ku ne si shtet do të duhej të funksiononim më ndryshe në bazë të legjislacioneve, duke parandaluar dhe verifikuar burimin e informatave. Ndërsa ana tjetër me të cilën atakohet dhe keq menaxhohet prej anës së mediave, për fat të keq, në Kosovë është aspekti i mos njohjes së historisë dhe kulturës së komuniteteve, rom, ashkalinj e egjiptian në Kosovë”, deklaron ai.

Ai shton se ndaj tri komuniteteve po vazhdon të përdoret edhe gjuhë pezhorative.

“Përdorimi i fjalëve pezhorative nga mediumet e ndryshme, cenojnë integritetin dhe bëjnë diskriminim direkt të komunitetit rom, ashkalinj e egjiptian në Kosovë. Dhe kjo vjen për shkak të mosnjohjes së komuniteteve në përgjithësi, por edhe problematikave të ndryshme. Një faktor që për vite ka ndodhur përmes mediumeve të ndryshme është që secilën herë kur flitet për tema negative, kur flitet për probleme të qyteteve të mëdha, kamerat përmes mediumeve kapin pjesëzat më të këqija të jetës së komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian. Dhe kjo e bën më të thellë diskriminim nga pjesa e shumicës”, tha Ibishi.

Edhe Fatlum Kryeziu nga organizata “Roma Versitas Kosovo” thotë se keqinformimi ka çuar edhe në raste dhune.

“Lajmet shpesh herë ka ndodhur dhe kanë pasuar edhe me dhunë, edhe me derivate të problematikave të tjera, të cilat kanë çuar direkt në racizëm, apo në paragjykime apo i kanë forcuar paragjykimet në segregacion dhe stigmatizim të komplet komuniteteve apo grupeve më të ndjeshme, siç janë fëmijët dhe gratë...Fëmijët dhe gratë janë grupet më vulnerabël dhe e kanë pak më të vështirë përjetimin prej lajmeve, të cilat po ndodhin. Ka pasur edhe dhunë apo kanë qenë të përjashtuar prej grupeve shoqërore”, shprehet Kryeziu.

Po ashtu, ai përmend se si një raportim ka ndikuar në stigmatizimin e mëtejshëm të komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian.

“Është dhënë një deklaratë ku thuhet se për mesitninë në komunitet, ende kërkohet një shifër shumë e madhe. Edhe ajo ka ndikuar që të stigmatizohet komuniteti dhe ka ndikuar që të përqeshet. Fatkeqësisht, edhe ne jemi një shoqëri që në komente, statuse në Facebook krijojmë humor të zi që në këtë rast e stagnon komunitetin prej proceseve që ne jemi duke u munduar ta ngremë pozitën e komuniteteve në shoqëri”, tha ai.

Diskriminimi në masë të madhe po nxitet në rrjete sociale, thotë aktivistja Urma Menekshe.

"Për shkak të informatave jo të duhura nuk po mund të realizojnë jetën e përditshme në mënyrë të duhur dhe kjo po ndikon edhe në sistemin e arsimit dhe aspekte të tjera, si në zhvillim, si individë të shëndoshë. Raportimet në mënyra të ndryshme, ne i kemi vërejtur në rrjetet sociale, komentet e ndryshme, të cilat nxisin shumë diskriminime për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian dhe për këtë ne si komunitet kemi reaguar", përfundon ajo.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. /Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024