Arsenijeviq e pengon në lokal kryetarin e Mitrovicës Veriore, ky i fundit e ‘shan’ atë (Video)
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, i shoqëruar nga truprojat e tij, të hënën ishte ulur në kafiterinë 'Bonsai' në veri të Mitrovicës, por nuk mundi të shijonte kafenë, për shkak të zhurmës së fishkëllimave nga ana e liderit të 'Demokracisë serbe' Aleksandar Arsenijeviq dhe disa personave tjerë që ishin me të.
Ai për pak minuta detyrohet të largohet nga lokali, duke u futur në automjetin zyrtar, ndërsa politikani serb dhe të tjerët i shkojnë prapa duke fishkëlluar.
Gjatë qëndrimit në lokal, herë pas here ka pasur komunikim në formë të ironizimit me njëri-tjetrin, derisa Arsenijeviq i bënte pyetje vazhdimisht pse Atiq nuk është në vendin e punës gjatë orarit.
Ky i fundit dëgjohet edhe duke përdorur fjalë të rënda me zë të ulët.
Politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq, duke folur për KosovaPress, tha se bëhet fjalë për një kryetar jo legjitim dhe një pushtet jo vetëm anti-serb, por anti-qytetarë, sepse anashkalon për t'i punësuar shqiptarët e këtushëm të Mitrovicës dhe sjellë të tjerë nga viset e ndryshme të Kosovës.
KosovaPress ka siguruar videon, ku dëgjohet kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq duke fyer në gjuhen serbe. Atiq i kontaktuar nga KosovaPress ka mohuar të ketë fyer politikanin serbe, Aleksandar Arsenijeviq dhe të tjerë aty.
“Jo jo, s’ka asgjë prej asaj pune. A ke fyer? Jo jo, nuk ka asgjë të vërtetë”, ka thënë shkurt Atiq për Kosovapress mes telefonit.