Arrestohen dy kushërinj për vrasjen e 45-vjeçarit në Durrës
Tjera
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Arrestohen dy kushërinj për vrasjen e 45-vjeçarit në Durrës
729100005_2520227568391477_8148552544486378390_n
22/06/2026 - 12:02
Linku u kopjua

Policia e Durrësit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj dy shtetasve të dyshuar për vrasjen e një 45-vjeçari në Shijak, ngjarje e ndodhur në janar të këtij viti.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë arrestuar shtetasit I. F., 38 vjeç dhe D. F., 36 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin dhe banues në Shijak.

Të dyshuarit ishin shpallur në kërkim, pasi nga hetimet rezulton se më 27 janar 2026, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin D. Ç., 45 vjeç, e kanë qëlluar atë me armë zjarri.

Si pasojë e plagëve të marra, 45-vjeçari humbi jetën disa ditë më vonë në spital.

Ndaj dy të arrestuarve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026