Kriza politike dhe institucionale në Kosovë po vazhdon të ndikojë në funksionimin e plotë të institucioneve, në proceset legjislative dhe në jetën e qytetarëve.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thotë për KosovaPress, se vendi po funksionon për të dytin vit pa institucione të plota, si pasojë e zgjedhjeve të përsëritura.
“Është viti i dytë që po vazhdon Kosova me funksionu pa institucione të plota, si rezultat i zgjedhjeve që po ndodhin në Kosovë të përsëritura. Mungesa e krijimit të institucioneve cenon dhe ndikon shumë keq tek të drejtat e njeriut, në radhë të parë për shkak të ngecjes së nismave legjislative, të ndryshimit të ligjeve dhe nxjerrjes së ligjeve të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, në mirëqenien e tyre dhe në rritjen e standardit. Po natyrisht ndikon shumë edhe në vetë punën e institucioneve të tjera, të cilat në mungesë të autoriteteve mbikëqyrëse, mbesin në një dinamikë shumë të ulët të angazhimit në punën e tyre të përditshme, por edhe në projekte të cilat nuk arrijnë me i përfundua dhe nuk arrijnë me i nis të reja. Dhe kjo natyrisht ka bërë që sot qytetarët e Kosovës me u ballafaqu me një situatë të një pasigurie, ose paparashikueshmërie, se çfarë do të ndodhë më tej”, thotë Qelaj.
Ai pret që rezultati i zgjedhjeve të fundit të finalizohet me krijimin e institucioneve, duke paralajmëruar se vazhdimi i krizave politike e institucionale do ta thellonte edhe më shumë dëmin për vendin.Avokati i Popullit, thekson se kriza institucionale ka sjellë kufizime buxhetore, ngecje në nisma legjislative, projekte infrastrukturore dhe reforma në drejtësi. Ai thotë se një ndër parimet kryesore të reformës në drejtësi duhet të jetë respektimi i ndarjes së pushteteve.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për tendencat e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë, duke bërë thirrje që politika dhe ekzekutivi të qëndrojnë larg ndikimit në gjyqësor dhe prokurori.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka deklaruar për media se pas certifikimit të rezultateve do të komunikojë me partitë politike për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve por edhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës.