Të dielën e 7 qershorit, rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë prapë për të zgjedhur legjislaturën e 11-të të Kosovës.
Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe u mbyllë me votimin e 28 dhjetorit. Por vetëm pas pak muajsh, po votohet sërish, më 7 qershor.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar brenda Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq, në këtë listë nuk janë të përfshirë 132,212 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës apo në përfaqësitë diplomatike.
21 subjekte politike me 902 kandidatë janë në garë për ulëse në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 6 janë subjekte shqiptare me 465 kandidatë që garojnë për 100 ulëse, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara. Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra.“Sipas planifikimeve, materialet zgjedhore që janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për në qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 7 qershor është 949, prej të cilave 911 për votimin e rregullt me 2,498 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, njoftoi Elezi.
Elezi ka treguar se për administrim të rregullt të procesit zgjedhor, në ditën e zgjedhjeve, KQZ do të funksionalizojë dhomën operative, e cila funksionon me pjesëmarrjen e zhytarëve të KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.