Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të themelimit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) lansoi sot modulin elektronik të trajnimit për konfliktin e interesit dhe etikën, një platformë e krijuar për të mbështetur ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve publikë dhe forcimin e kulturës së integritetit në administratën publike.
Sipas njoftimit, moduli u prezantua gjatë konferencës me temën "Edukimi i Vazhdueshëm - Çelësi i Parandalimit të Konfliktit të Interesit", e organizuar në kuadër të "Javës së Agjencisë”.
"Me këtë platformë do t'u ofrojmë zyrtarëve publikë mundësinë që, përmes një sistemi të thjeshtë elektronik, të njihen me bazat e parandalimit të konfliktit të interesit. Platforma është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike dhe me mbështetjen e GIZ-it gjerman", citohet Buleshkaj në komunikatë.
Ai bëri të ditur se si hap i radhës, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, synohet që trajnimi përmes këtij moduli të bëhet pjesë e zhvillimit profesional të shërbyesve civilë.Ai sqaroi se moduli përbëhet nga 10 tema që ofrojnë njohuritë themelore për parandalimin e konfliktit të interesit dhe është zhvilluar mbi platformën Moodle, një nga sistemet më të përdorura ndërkombëtarisht për mësim elektronik, e cila mundëson qasje të sigurt, fleksibile dhe të njëkohshme për një numër të madh përdoruesish.
Pas lansimit të modulit u zhvillua paneli i diskutimit me temën "Edukimi i Vazhdueshëm - Çelësi i një Administrate Publike me Integritet".