Sot, në kompleksin memorial në Penuhë të Podujevës iu dha lamtumira e fundit veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefki Sejdiu, njërit prej veprimtarëve të përkushtuar të çështjes kombëtare, i cili ia kushtoi jetën lirisë dhe atdheut. Nën praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve, miqve dhe qytetarëve të shumtë, u nderua figura dhe vepra e tij, duke e përcjellë për në banesën e fundit me respekt dhe mirënjohje të thellë për kontributin e tij të çmuar.
Ani se ceremonia e varrimit u bë pa rite fetare sipas ‘amanetit’ të tij, i ndjeri u varros me gardë ceremoniale dhe me këngë nga kori i burrave, duke i dhënë kështu nderimet e fundit një figure të shquar si Sejdiut.
Atmosfera e rënduar nga dhimbja dhe pikëllimi ka shoqëruar gjithë ceremoninë, ku u vlerësua lart jeta dhe veprimtaria shumëdimensionale e të ndjerit, duke e cilësuar atë si një figurë të përkushtuar ndaj lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe figura të njohura të luftës, përfaqësues të institucioneve dhe bashkëluftëtarë të shumtë të ish-Zonës Operative të Llapit.
Në fjalën përkujtimore, ish-komandanti i mbrojtjes civile të Zonës Operative të Llapit, Muhamet Latifi, bashkoi kujtimet dhe vlerësimet për jetën dhe veprën e të ndjerit, duke e cilësuar atë si një ndër figurat më të përkushtuara të çështjes kombëtare.Në këtë ceremoni foli edhe profesori Abdullah Blakqori, i cili e përshkroi të ndjerin si një figurë të frymëzuar nga idealet më të larta kombëtare dhe si një atdhetar që la gjurmë të pashlyeshme.
“Kur edhe retë janë mrrolur dhe qielli po qan, ne e kujtojmë këtë figurë madhore, këtë patriot, këtë atdhetar, i cili para lufte, gjatë lufte dhe pas lufte ishte prorer në shërbim të atdheut. Në sytë e tij lexohej historia, ndërkaq e kishte kujtimin nga lufta dhe plagët i lexoheshin, dhe aty frymonte liria e atdheut. Për këtë liri, për këtë ideal, për këtë sakrificë sublime, ai ishte frymëzuar fillimisht nga figurat më emblematike të kombit shqiptar, siç ishin: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Isa Boletini, Ismail Qemali, Ded Gjo Luli, Bacë Adem Demaçi, Adem Jashari, Dhe themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandanti i saj i lavdishëm, Zahir Pajaziti.” , tha Blakqori.
Shefki Sejdiu vdiq më 8 prill 2025, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të lirisë dhe çështjes kombëtare shqiptare.