Këtë të marte Ambasada e Francës në Kosovë organizoi Festën Kombëtare Franceze. Në fjalën e tij, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, tha se shpresojnë që të kenë fishekzjarr për ta festuar fitoren e kombëtares së Francës ndaj Spanjës në futboll, teksa dha edhe porosi për partitë politike që të krijohen sa më shpejtë institucionet, raporton KosovaPress.
“Të gjithë shpresojmë fishekzjarre të tjera sonte: një ndeshje me shumë gola në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Shpresoj që golat të jenë francezë. Duke filluar nga ora 21:00, ndeshja do të transmetohet në ekranet brenda dhe jashtë sallës dhe ju ftoj të qëndroni e ta ndjekim së bashku. Teksa po përgatisja këtë fjalim të shkurtër, kërkova fjalimin tim të vitit të kaluar për të gjetur frymëzim. Aty hasa një paragraf që, për fat të keq, ndiej detyrimin ta përsëris: Është një mesazh i drejtuar me respekt udhëheqësve politikë të Kosovës. Për të nënshkruar marrëveshje me ju dhe për t'i zbatuar ato, ne kemi nevojë për institucione funksionale. Qeveritë mike të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë franceze, në emër të së cilës po flas, kanë nevojë për partnerë me të cilët mund të ecin përpara dhe ta shoqërojnë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Prandaj, më lejoni t’u bëj një thirrje të gjithë liderëve politikë të këtij vendi, pa përjashtim, pavarësisht partisë së cilës i përkasin apo komunitetit që përfaqësojnë. Një thirrje që ta gjejnë vetë rrugën e kompromisit, ta gjejnë vetë daljen nga situata e bllokimit, me të cilën asnjë qytetar nuk është i kënaqur. Një thirrje që të gjejnë rrugët për një funksionim gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës. Ky ishte mesazhi im i vitit të kaluar. Pas një viti dhe dy palë zgjedhjesh, ky mesazh mbetet aktual”, tha Guerot.
I nderuar Kryeministër, ju jeni pritur në Pallatin Élysée dhe ne po punojmë me ekipet tuaja për vizitën e një anëtari të Qeverisë franceze në Prishtinë, në të ardhmen e afërt. Jam i bindur se kjo vizitë do të shënojë fillimin e një procesi në të cilin Franca do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Franca në Kosovë është, si kudo në botë, një partner i angazhuar, i vendosur, i besueshëm dhe solidar.Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Franca e ka formësuar botën, jo vetëm përmes politikës, por edhe përmes letërsisë, filozofisë, shkencës, artit e diplomacisë.

“Republika Franceze ka formësuar botën jo vetëm përmes politikës, por edhe përmes letërsisë, filozofisë, shkencës, artit dhe diplomacisë. Ajo u ka kujtuar brezave se idetë i japin drejtim shoqërisë, kultura i jep thellësi, ndërsa parimet i japin kuptim. Për Kosovën, ky ndikim nuk është abstrakt. Prandaj sonte, përtej parimeve që ky vend i ka dhënë botës, dëshiroj të flas për mbështetjen që Franca i ka dhënë vendit tonë.
“Për ne, Franca ka qenë një mike dhe aleate në momentet vendimtare. Ajo qëndroi pranë popullit tonë gjatë luftës, e njohu pavarësinë e Kosovës një ditë pas shpalljes së saj dhe ka vazhduar të na mbështesë në forcimin e shtetit dhe demokracisë sonë. Sot, partneriteti ynë po bëhet gjithnjë e më konkret dhe më përmbajtësor. Këtë e shohim përmes dialogut politik, bashkëpunimit institucional, angazhimit kulturor dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit. Ai nuk kufizohet vetëm në deklarata; ai shndërrohet në punë konkrete, ndërton besim dhe i shërben një qëllimi.
