Sveçla për Ligjin për Shtetësi: Neni 31 s'është dispozitë e re
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 8 min.
Dëgjoje me zë...
Sveçla për Ligjin për Shtetësi: Neni 31 s'është dispozitë e re
Sveçla1234
02/06/2026 - 16:30
Linku u kopjua

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, reagoi ndaj debateve të fundit rreth Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, duke thënë se neni 31 i këtij ligji nuk përbën dispozitë të re dhe se ky nen është pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në konferencë për media Sfeçla tha se dispozita në fjalë buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe është e sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë të gjithë qytetarëve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar të vitit 1998 si dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë.

“Neni 31 i Ligjit për Shtetësi i vitit 2026 nuk është një dispozitë e re. Ky nen është pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 155 që derivon nga Pakoja e Ahtisarit. Është Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kjo e drejtë nuk është krijuar apo njohur nga kjo qeveri dhe nuk është futur për herë të parë me ligjin e ri, ashtu siç eksponentët e opozitës po e proklamojnë. Kjo e drejtë, e cila parasheh se Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që posedojnë, të gjithë qytetarëve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar të vitit 1998 si dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, buron nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i njohur si Pako e Ahtisarit, të cilën, siç të gjithë e dini, ne e kemi kundërshtuar në mënyrë fundamentale”, tha Sfeçla.

Ai tha se kjo dispozitë ka mbetur pjesë e legjislacionit për shtetësinë qysh nga viti 2008 dhe se në vitin 2012 është bërë pjesë e përhershme e rendit kushtetues të vendit.

“Më pas, e njëjta është përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ka qenë pjesë e pandryshuar e legjislacionit tonë për shtetësinë qysh nga viti 2008. Ndërsa në vitin 2012, në vend që kjo dispozitë të hiqej nga Kushtetuta dhe të kishte të njëjtin fat si dispozitat e tjera kalimtare, opozita e tanishme, e cila ishte në pushtet në atë kohë, përmes ndryshimeve kushtetuese vendosi ta bartë këtë dispozitë te dispozitat themelore të Kushtetutës, me qëllim që ta bëjë pjesë të përhershme të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Pra, në thelb, ajo që opozita sot po e kritikon, e ka burimin pikërisht këtu, çka nënkupton se ata ose nuk kanë qenë fare të vetëdijshëm për atë që kanë bërë dhe votuar, ose kanë pasur pikërisht qëllimin për të cilin po na akuzojnë ne sot. Për ta përforcuar këtë fakt, zbatimi i kësaj dispozite deri në vitin 2017 ka qenë kompetencë ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga korriku i vitit 2017 si rezultat i procesit të dialogut të udhëhequr nga Edita Tahiri gjatë qeverisjes PDK-LDK, kjo kompetencë është bartur në nivel komunal duke larguar kompetencën e nivelit qendror për zbatimin e kësaj dispozite”, tha Sfeçla.

Sipas tij, pretendimet e opozitës për radhë të gjata para objektit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për aplikim për shtetësi nuk qëndrojnë, pasi kompetenca për trajtimin e këtyre rasteve është bartur në nivel lokal qysh nga viti 2017.

Ai tha se me udhëzim administrativ synohet rikthimi i centralizimit të kompetencave për zbatimin e kësaj dispozite.

Sfeçla tha se Ligji për Shtetësinë i vitit 2026 nuk ka krijuar mundësi të reja për fitimin e shtetësisë dhe as nuk ka zgjeruar kategoritë e përfituesve, por vetëm ka harmonizuar formulimin ligjor me tekstin kushtetues.

Sfeçla theksoi se bëhet fjalë për zbatimin e një detyrimi kushtetues që ekziston prej më shumë se 15 vjetës dhe jo për një politikë të re të Qeverisë apo të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai shtoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo përkatësie politike.

Ndërsa, drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Qëndrim Bytyqi, tha se Ligji i ri për Shtetësinë i Republikës së Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 22 maj 2026,  tha se neni 31 i ligjit aktual është i njëjtë në përmbajtje me dispozitat që kanë ekzistuar në Kushtetutë dhe në ligjet paraprake për shtetësinë.

Sipas Bytyqit, dallimi kryesor ndërmjet ligjit aktual dhe ligjeve të viteve 2008 e 2013 qëndron te përdorimi i termit: konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës.

“Një formulim i ngjashëm në materie të njëjtë, por me disa formulime pak më ndryshe ka qenë në vitin 2013 edhe 2008, ku këtu besoj mundeni me parë dallimin kryesor që tek ligji i vitit 2013 dhe 2008 është përdorur termi "konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës", njësoj mundeni me parë edhe te ligji i vitit 2026, konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës. Pra, ligji për dallim prej kushtetutës, për shkak që kushtetuta e ka njohur të drejtën, e njohja e të drejtës nënkupton që duhet të plotësohen kushtet se si një person mundet me arritur deri te fitimi i shtetësisë, ndërsa ligji i vitit 2013 dhe 2008 kanë shkuar përtej Kushtetutës për shkak që kanë konsideruar shtetas të Republikës gjithë këta persona. Në ligjin e vitit 2026, që tash ka hyrë në fuqi, e shihni këtu që është formulimi i njëjtë sikur në kushtetutë që domethënë ligji ua njeh të drejtën e shtetësisë po që duhet të plotësohen kriteret. Edhe sa i përket pasardhësve, e shihni te kushtetuta neni 155 këtë të drejtë e ka parë, e ka paraparë edhe për pasardhës të drejtpërdrejtë. Po kjo duhet të sqarohet që sipas kushtetutës dhe ligjit kjo e drejtë u njihet vetëm pasardhësve të drejtpërdrejtë. Pasardhësi i drejtpërdrejtë ligjërisht nënkuptohet gjenerata, një gjeneratë. Domethënë, personi dhe vetëm një gjeneratë pasardhësi i tij, jo siç është pretenduar që kjo mund të shkojë edhe në gjenerata të tjera. I njëjti dispozitë ka qenë edhe në ligjin 2013 edhe 2008, ku të dy ligjet kanë paraparë të drejtën për njohjen e kësaj të drejte edhe për pasardhësin.”, u shpreh Bytyqi.

Bytyqi foli edhe për ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, duke theksuar se neni 155, ndryshe nga shumica e dispozitave kalimtare, është bartur në kapitullin e dispozitave themelore të Kushtetutës.

“Në vitin 2012, kur është bërë amendamentimi i Kushtetutës edhe janë larguar disa nga dispozitat kalimtare që kanë qenë në kushtetutë e që ideja e dispozitave kalimtare është që të jenë të vlefshme për një periudhë të caktuar, në vitin 2012 me amendamentim të kushtetutës janë fshirë shumica prej dispozitave kalimtare. Këtu mundeni me parë duke filluar prej nenit 146, e keni në pjesën në kllapa, ku përmes amendamentit fshihet. Neni 147 përsëri fshihet, neni 148, vazhdon të gjitha nenet e Kushtetutës, dispozitave kalimtare, pastaj kur vihet te neni 155, domethënë një dispozitë që në karakter ka qenë kalimtare, e kufizuar me amendamentin e kushtetutës bartet tek kapitulli I, te dispozitat themelore. Është vetëm kjo dispozitë edhe dispozita e refugjatëve dhe personave të zhvendosur, të cilat me ndryshimet e vitit 2012 janë bartur te dispozitat themelore të kushtetutës, ndërsa të gjitha dispozitat e tjera që kanë qenë në kushtetutë janë fshirë”, tha ai.

Drejtori i Departamentit Ligjor theksoi se për njohjen e së drejtës së shtetësisë duhet të plotësohen dy kushte themelore: personi të ketë qenë shtetas i ish-Republikës Federative të Jugosllavisë dhe të ketë pasur banim të përhershëm në Kosovë më 1 janar 1998.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026