Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dëgjuar edhe fjala përfundimtare e avokatit Millosh Delleviq, i cili mbron Vlladimir Tolliqin – i akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Në sallën e gjyqit ka folur edhe ky i fundit, teksa mohoi se ka qenë i përfshirë dhe se “ishte nisur pa e ditur se çfarë do të ndodhte”, raporton KosovaPress. Në këtë seancë po marrin pjesë të tre të akuzuarit, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Vlladimir Tolliq ka mohuar se qenë pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë, ani pse e pranoi që atë ditë ka qenë në fshat.
“Sot për vetën dëgjoj se si unë jam terrorist, se si jam përgjegjës për vdekjen e policit, si kam mundur ta shkëpus veriun e Kosovës. Dhe vetëm pyetem se ku janë provat për tërë këto gjëra. Askush nuk ka thënë se kam gjuajtur, askush nuk ka thënë se e kam sulmuar dikë apo lënduar. Askush nuk ka thënë se kam pasur komandë apo ndonjë rol tjetër. E pasi që askush nuk e ka thënë këtë, e pasi që edhe nuk ka prova për këtë, unë ju lutem që t’i bëni një pyetje vetës: A duhet unë të gjykohem për diçka që nuk e kam bërë? Dhe a duhet të dënohem për diçka që janë fajtor apo përgjegjës të cilët janë në arrati”, ka shtuar ai.
Para trupit gjykues, sot në sallën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka prezantuar fjalën përfundimtare edhe avokati i këtij të akuzuari, Millosh Delleviq.Për këtë situatë fajësoi edhe mediat, duke thënë se “këtë krizë e kanë thelluar edhe media të caktuara nga Prishtina”. Ani pse vet komentoi se vendimet e kryeministrit Kurti, ai tha se “objekti i këtij gjykimi nuk është situata politike”.
Sipas avokatit, nuk ka prova që klienti i tij ka pasur për qëllim këtë vepër penale.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator pati ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.
Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës.
Javën e kaluar është arrestuar Stefan Raduloviq, i dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.