Nënkryetarja e Aleancës, Time Kadrijaj, i ka bërë thirrje liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të angazhohet në dialog politik me partitë parlamentare për formimin e institucioneve të reja.
Në ditën kur u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, Kadrijaj thotë për KosovaPress se nuk ka më arsye për vonesa dhe se tashmë përgjegjësia bie mbi LVV-në si fituese e zgjedhjeve për të siguruar mbështetjen e nevojshme politike për çështjen e presidentit.
“Mirë që u certifikuan, domethënë u shqyrtuan të gjitha ankesat të cilat kanë pasur individët e caktuar për procesin zgjedhor. Tash s’ka mbetur hapësirë tjetër, domethënë duhet të thirret seanca e konstituimit të Kuvendit dhe duhet të vazhdojmë me konstituimin e Kuvendit. Mirëpo ne nuk kemi parë ndonjë lëvizje që është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Albin Kurti. E kemi parë që kohët e fundit po merret me simpoziume dhe me vizita në Greqi, që nuk janë të rralla këto vizita. Nuk e kemi parë ndonjë angazhim, së paku deri tash, që ka vullnet për krijimin e qeverisë, po ju e dini që problematike është edhe zgjedhja e presidentit, në të cilën kërkohet të ketë 80 deputetë në sallë”, thotë ajo.
Ndër kërkesat e Aleancës është edhe pranimi i gazit amerikan, për të cilin deri tani janë shfaqur rezerva nga qeveria Kurti.
“Aleanca ka dhënë qëndrimet e veta, ne nuk kemi ambicie që të jemi pjesë e qeverisë bashkë me Albin Kurtin. Mirëpo, për hir të zgjidhjes së situatës politike, ngërçit politik, shkuarjes në zgjedhje të njëpasnjëshme, domethënë për një vjet e gjysmë i kemi pasur tri palë zgjedhje, atëherë duhet zoti Kurti të gjejë një konsensus, ndonjë emër konsensual ose të ketë ndonjë marrëveshje politike me partitë me të cilat mundet me siguru që t’i ketë 80 vota në sallë. Aleanca e ka treguar qëndrimin e saj. Qëndrimi i Aleancës është i saktë, i kemi dhënë gjashtë pika në të cilat ne ndoshta do të qëndrojmë në sallë, që janë pika dominante dhe që janë pika në interes të Kosovës. Nëse i plotëson ato, do të qëndrojmë në sallë, pa kërkuar asgjë në këmbim”, deklaron Kadrijaj.
Kadrijaj paralajmëroi se, në mungesë të një dialogu politik dhe një marrëveshjeje ndërmjet partive, ekziston rreziku që vendi të përballet sërish me bllokada institucionale dhe zgjedhje të reja.
KQZ certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit të mërkurën. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.
Certifikimi i rezultateve do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja, ku Kuvendi ka afat tridhjetë ditë që të mblidhet për t’u konstituuar. /E. Zeqiri/