Rastet e fundit të raportuara të fruthit në Kosovë paraqesin një sinjal serioz për shëndetin publik dhe nevojën për veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse dhe shoqëria në tërësi.
Kështu thuhet në një analizë të publikuar nga Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (ISEE-HSP) me titullin “Imunizimi rutinë në Kosovë 2015-2025
Analiza e ISEE-HSP vlerëson se imunizimi rutinë në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme pas pandemisë COVID-19, duke rritur rrezikun për shpërthime të sëmundjeve ngjitëse, veçanërisht fruthit.
Sipas dokumentit, Kosova ka ruajtur nivele relativisht të larta të vaksinimit në periudhën 2015–2019, mirëpo pandemia ka shkaktuar ndërprerje serioze në shërbimet rutinore të vaksinimit. Rënia më e madhe është evidentuar te vaksinat kundër fruthit dhe vaksinat që kërkojnë disa doza, si DTP3. Autorët theksojnë se edhe pas rikuperimit gradual nga viti 2022, mbulueshmëria me vaksina ende nuk ka arritur nivelin e nevojshëm për të parandaluar shpërthimet epidemike.Raporti evidenton edhe dallime të mëdha mes komuniteteve të ndryshme. Sipas të dhënave të MICS 2019–2020 (Anketa me Tregues të Shumtë) vetëm 37.5 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë plotësisht të vaksinuar, krahasuar me 72.5 për qind në nivel kombëtar. Këto pabarazi, sipas autorëve, krijojnë “xhepa” të popullsisë të pambrojtur, të cilët mund të nxisin shpërthime epidemike edhe kur mesatarja kombëtare duket e kënaqshme, thuhet në analizë, transmeton KosovaPress.
Dokumenti paralajmëron se mosvaksinimi nuk sjell vetëm pasoja shëndetësore, por edhe kosto ekonomike dhe sociale. Shpërthimet e sëmundjeve të parandalueshme me vaksina rrisin barrën mbi sistemin shëndetësor, shkaktojnë mungesa në shkolla dhe ndikojnë në produktivitetin ekonomik të familjeve.
Raporti nxjerr edhe përfundimin se imunizimi rutinë duhet të trajtohet si investim strategjik për shëndetin publik dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke paralajmëruar se mosveprimi mund të çojë në rikthim të sëmundjeve të parandalueshme dhe kosto të mëdha për shoqërinë.