Menaxhmenti i kompanisë Telekomi i Kosovës ka shprehur dyshime për manipulim në sistemin e drejtësisë, lidhur me vendimin e Gjykatës Komerciale për rastin e 5.7 milionëve, duke e vlerësuar si të jashtëligjshëm, me elemente të qarta siç thuhet kriminale nëpërmjet të cilave synohet t’i bëhet një dëm i pariparueshëm Telekomit të Kosovës.
Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana në një konferencë për media ka thënë se aktvendimi i fundit i Gjykatës Komerciale, Telekomi i Kosovës është dëmtuar miliona euro nga kontrata me kompaninë Dardafon/Zmobile (me pronar Blerim Devolli).
Sipas saj, nëpërmjet këtij aktvendimi lihet në fuqi urdhri përmbarimorë i lëshuar në vitin 2019 i cili po hap rrugën për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë euro të tjera.
Hana theksoi se aktvendimi është marrë në mënyrën tërësisht abuzive nga gjyqtari i çështjes pa u mbajtur asnjë seancë ku do të paraqitej pretendimet dhe provat e tyre, dhe nuk ka caktuar fare ekspertimin financiarë siç është kërkuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Dytë.
Ndërsa, drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Halil Krasniqi u shpreh se gjyqtari është duke u munduar me çdo kusht të manipulojë edhe opinionin duke thënë që ‘Telekomi po konteston vendimin e arbitrazhit’.
Ndërsa, lidhur me këto cilësime të Telekomit, KosovaPress ka tentuar që të marrë qëndrimin edhe të kompanisë “Dardafon/Zmobile”, por që të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin. Po ashtu edhe qasja me zyrtarë nga Gjykata Komerciale ishte e pamundur për shkak se sot ishte festë zyrtare. /A.Shala/