AKK: Kontrata kolektive i kushtoi komunave më shumë se 122 milionë euro
Intervista
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Favorizimi nga niveli qendror i komunave me kryetarë nga partia në pushtet duke marrë më shumë mjete financiare për kokë banori, dëmet nga kontrata kolektive e tash edhe ligji aktual për ngritjen e tatimit në pronë, janë disa nga problemet kryesore me të cilat po përballen komunat e Kosovës.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për KosovaPress se përgjatë këtyre viteve komunat padrejtësisht janë dëmtuar me më shumë se 120 milionë euro për kontratën kolektive, mjete të cilat kanë qenë të parapara për investime kapitale.

Kryetari i Asociacionit të Komunave thotë se nga viti i ardhshëm për pronat komerciale do të ketë ngritje enorme të faturave, e cila do të jetë një barrë jashtëzakonisht e madhe për bizneset dhe është ngritur si shqetësim ndaj Qeverisë.

Ibrahimi kërkon themelimin e grantit të katërt për investime kapitale dhe grantit specifik për shërbime, të cilët janë të paraparë me projektligjin për financa lokale, pasi favorizimi i komunave të drejtuara nga LVV-ja ka ndikuar që ato të përfitojnë më shumë mjete financiare sesa komuna tjera për kokë banori.

“Jo i tërë buxheti i Kosovës ndahet për kokë banori në komunat e Kosovës. Kemi grantin e përgjithshëm që është një grant specifik. Kemi dhe dy grante të tjera për arsim dhe shëndetësi. Synimi jonë është që niveli qendror ta themelojë edhe grantin e katërt për investime kapitale, i cili është paraparë me projektligjin për financa lokale, por është edhe granti specifik për shërbime. Kryetarët e komunave nga LVV-ja, kanë marrë më shumë mjete financiare për kokë banori dhe këto mjete financiare vijnë nga ministritë e linjës”, është shprehur Ibrahimi.

Sipas kreut të AKK-së, ka me qindra projekte të komunave, të cilat nuk përkrahen me buxhet nga Qeveria e Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024