Haradinaj kërkon protokoll të ri me NATO-n: Prezenca e FSK-së në veri, e domosdoshme
Intervista
Lexohet për: 5 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Kosova duhet të nënshkruajë një protokoll të ri bashkëpunimi me NATO-n për të shtrirë sovranitetin e plotë në veri, thotë ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj. Sipas saj, vetëm në këtë formë bëhet zhvlerësimi i plotë i letrës në të cilën Kosova zotohej se nuk do ta dërgojë FSK-në në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me NATO-n, siguroi se FSK-ja nuk do të dislokohet në veriun e banuar me shumicë serbe, pa dakordim me misionin e NATO-s në Kosovë.
Ish-kryediplomatja, Meliza Haradinaj thotë se prezenca e FSK-së në veri është bërë e domosdoshme pas sulmeve terroriste atje.
Një vit pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, Kosova u përball edhe me një shpërthim të madh në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit për të cilin autoritetet thanë se ishte kriminal e i orkestruar nga bandat kriminale të mbështetura nga Beogradit.
Haradinaj thotë se përmes protokollit të ri të bashkëpunimit me NATO-n, FSK-ja do të mund të shkonte në veri fillimisht për menaxhimin e urgjencave dhe pastaj përmes rolit ushtarak.
Megjithatë, ajo nënvizon se juridikisht, me miratimin e Ligjit për FSK-në në vitin 2018, letër-këmbimi është bërë ‘nullë’ pasi në ligj theksohet se FSK-ja ka mandat në të gjithë territorin e Kosovës.
Pavarësisht kësaj, ish-ministrja Haradinaj thotë se është shqetësuese nëse institucionet e Kosovës kanë bërë kërkesë zyrtare ndaj KFOR-it për lejimin e FSK-së në veri, pas sulmit terrorist në kanalet e Ibër-Lepencit ku u dëmtua infrastruktura kritike e Kosovës.
Sipas saj, ky do të ishte një gabim i madh dhe mohim i Ligjit për FSK-në.
Ditë më parë është raportuar se institucionet e Kosovës kanë kërkuar nga KFOR-i autorizim për dërgimin e FSK-së në veri, pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc, mirëpo që komandanti i KFOR-it nuk e ka dhënë një pëlqim të tillë bazuar në vlerësimet e tij të sigurisë.
Duke folur për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Haradinaj thotë se qëllimi ishte që të dëmtohet infrastruktura kritike e Kosovës, përmes metodave ruse.
Ajo kërkon nga institucionet në Kosovë që të shfrytëzohen të gjeturat nga ky sulm, ato të përdoren për veprim diplomatik dhe Kosova të përfitojë në arenën ndërkombëtare.
“Sulmi në kanalet e Ibër-Lepencit ishte një sulm terrorist padyshim, dhe padyshim që vinte nga Serbia. Ishte vazhdimësi e sulmit në Banjskë të shtatorit të vitit të kaluar. Prandaj duhet të jetë si i tillë dhe të amplifikohet si i tillë. Kam bërë thirrje publikisht edhe përmes institutit që drejtoj tanimë, që të përdoret kjo mundësi edhe pse është sanuar dëmi, në veprim diplomatik. Kosova të shfrytëzojë sa më mirë në favor të vetvetes. Jo të fokusohemi se a sanksionohet Serbia dhe të dëshmojmë se Serbia ka qenë prapa, në fakt të gjithë e dinë se Serbia ka qenë prapa. Ne në veri kemi institucione të sigurisë që janë edhe nga shtetet aleate, prandaj nuk dyshoj se edhe hetimet e gjetjet që janë prezantuar nga institucionet tona padyshim se kanë qenë të involvuara edhe shtetet aleate. Prandaj duhet të shfrytëzohen këto të gjetura dhe të përdoren në veprim diplomatik, që të ngritet zëri sa më shumë që Kosova të përfitojë...Pozitive për mua ka qenë reagimi i menjëhershëm i QUNIT-it. Mos hezitimi që ta quajnë akt terrorist, për dallim nga Banjska kur mori disa ditë kohë që të kategorizohet akti, madje asnjëherë nuk e quajtën akt agresioni”, shton ajo.
Krahas kësaj, ajo e konsideron të nevojshme që të funksionalizohen pikat kufitare në veri, siç e parashihet në marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufirit (IMB).
Pavarësisht sulmit terrorist në Ibër-Lepenc, ish-ministrja Haradinaj thotë se kryeministri Albin Kurti bëri mirë që mori pjesë në darkën joformale të liderëve të rajonit në Bruksel, përkundër se në atë tryezë ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Kanali i ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, u dëmtua mbrëmjen e 29 nëntorit pas një shpërthimi të madh. Bëhet fjalë për 15 kilogramë eksploziv, sipas autoriteteve të Kosovës.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorporata Energjetike e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti fajësoi Serbinë dhe tha se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Pas sulmit të 29 nëntorit, autoritetet e Kosovës zhvilluan disa operacione ku gjetën arsenal armësh, uniforma e pajisje ushtarake.
Një sulm tjetër terrorist ndodhi shtatorin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Aty nga terroristët serbë u sulmua Policia e Kosovës dhe mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.