Ka përfunduar vizita e delegacionit të lartë të politikanëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, në krye me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin, në fabrikën “Comodita” në Gjakovë.
Ky delegacion nga Shkupi nuk është shoqëruar në këtë vizitë nga asnjë zyrtarë nga institucionet e Kosovës.
Me këtë rast, Ahmeti para gazetarëve e quajti madhështor investimin e Devollëve në këtë fabrikë, derisa theksoi se nga puna që ofron kjo kompani, ushqehen pesë mijë familje.
"Pasuri më të madhe, nuk ka për vendin sesa këta njerëz që rrezikojnë me investimet e tyre, kapitalin e tyre, energjitë e tyre mendore, njerëzore, që t’u hyjnë në shërbim njerëzve”, theksoi Ahmeti.
I pyetur nëse do të shfrytëzon vizitën edhe për takime të tjera në Kosovë, Ahmeti mohoi duke thënë se sot vizita është në kompaninë “Devolli”.
Ahmeti të shtunën për vizitë në Gjakovë ishte i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe shefi i grupit parlamentar, Arbër Ademi./Z. Zeneli/