Ministri Murati i kundërpërgjigjet kryetarit të Prishtinës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Murati: Vendimi për ngritjen e pagave është në përputhje me legjislacionin në fuqi
8 orë më parë
Linku u kopjua

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se në tri vitet e fundit ka pasur rritje të mbështetjes financiare nga Qeveria për Komunën e Prishtinës. Ai ka reaguar pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë të enjten se ekzekutivi nuk po e mbështet kryeqytetin për projekte të mëdha.

Murati në Facebook ka publikuar një grafikon i cili sipas tij tregon mbështetjen e ekzekutivit për komunën.

“Komuna e Prishtinës në vazhdimësi e mbyll vitin me suficit, sepse nuk arrin të implementojë buxhetin që vet e harton. Në vitin që sapo lamë pas, suficiti (buxheti i pashpenzuar) i Komunës së Prishtinës rezulton mbi 33 milionë euro. Po kaq, 33 milionë euro, është buxheti i Komunës së Podujevës. Pra imagjinoni se sa punë arrin të bëjë Komuna e Podujevës me këtë buxhet, kaq pra i tepron Komunës së Prishtinës e qytetarëve të Prishtinës u mohohen ato projekte për shkak të mos-realizimit”, ka shkruar Murati.

“Andaj, Kryetari i Komunës Rama, në vend se të kërkojë fajtorin gjetiu, bën mirë që të përqendrohet në kryerjen e punëve për të cilat u ka premtuar qytetarëve”, ka shtuar ai.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar nivelin qendror për bllokim të projekteve të kësaj komune.

Në një konferencë për media ku prezantoi të arriturat për vitin 2024 dhe planet për vitin aktual, Rama i ka quajtur të paarsyeshme dhe tendencioze veprimet e qeverisë karshi kryeqytetit.

I pari i Prishtinës, Përparim Rama tha se projekti “Unaza e kryeqytetit” po vazhdon të bllokohet nga qeveria, ndonëse siç u shpreh ai komuna i ka siguruar 40% të buxhetit.

Edhe tuneli “Agim Ramadani”  e “ishulli urban” nga Rama po konsiderohen projekte të cilat u penguan nga niveli qendror për tu realizuar.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama theksoi se qeveria ka bllokuar edhe projektin për kampusin sportiv.

https://kosovapress.com/rama-arsyetohet-per-bllokimin-e-projekteve-ne-kryeqytet

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025