Pa viza: Mbërrin në Kosovë grupi i parë i shtetasve të Bosnje e Hercegovinës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Bosnja-1-Genta
3 ditë më parë
Linku u kopjua

Një grup i shtetasve të Bosnje e Hercegovinës, ka mbërritur në Kosovë përmes kufirit me Shqipërinë, në orët e para të 1 janarit 2025.

Ata kanë ardhur me një organizim të Bashkësisë shqiptare të BeH në koordinim me Qeverinë e Kosovës.

Udhëtimi përfaqëson një akt simbolik solemn që hap kufijtë e Republikës së Kosovës dhe mirëpret vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Kosovës për heqjen e vizave dhe lejimin e hyrjes së qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës me letërnjoftim.

Dy muaj më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur se nga 1 janari 2025, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët me letërnjoftime të Bosnje e Hercegovinës.

Për lëvizje të lirë - pa regjim vizash - në Ballkanin Perëndimor ishte rënë dakord gjatë një takimi të mbajtur në kuadër të procesit të Berlinit, në fund të vitit 2022.

Menjëherë në muajin shkurt të vitit 2023, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen.

Por njësoj nuk ndodhi edhe në Bosnje e Hercegovinë. Heqjen e vizave atje nuk po e lejojnë zyrtarët e entitetit serb të BeH, Republika Sërpska - deputetët e së cilës, në qershor të vitit të kaluar, e bllokuan marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime.

Sipas njoftimit të Bashkësisë shqiptare të BeH, udhëtarët që janë përfshirë në këtë udhëtim janë "intelektualë të shquar, ambasadorë, profesorë universitarë, akademikë, biznesmenë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe qytetarë të tjerë të shquar dhe anëtarë të Bashkësisë shqiptar në BeH, të cilët nuk kanë pasur mundësi të vizitojnë Republikën e Kosovës për më shumë se disa dekada“.

“Ky udhëtim do të përfaqësojë edhe një akt të njohjes joformale të sovranitetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës nga intelektualët dhe personat e tjerë me ndikim në BeH dhe në këtë mënyrë t'u japë një shtysë tjetër autoriteteve të BeH që të bëjnë të njëjtën gjë për qytetarët e Kosovës dhe të heqë procedurën rigoroze të vizave dhe të mundësojë udhëtimin me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe një nxitje për bashkëpunim më të lehtësuar ekonomik dhe akademik në të ardhmen dhe përmirësimin e marrëdhënieve në të gjitha sferat e shoqërisë sonë“, thuhet në njoftim.

https://kosovapress.com/me-ne-fund-mund-ti-perqafojme-familjaret-ne-kosove-qytetaret-nga-bosnja-mezi-e-presin-janarin

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025